Zgjerimi i shumicës parlamentare dhe ndryshimet kushtetuese: Momentum unik për të mbyllur Marrëveshjen e Ohrit

Shkruan: Arben Fetai, Drejtor i Institutit për Politika Publike Arbën Xhaferi

Me këtë avaz, do të festohet edhe 100 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit (M.O.), dhe kjo e fundit përsëri do të ngelet e pazbatuar dhe e pazbatueshme, përveç nëse dinamikat e reja rreth zgjerimit të shumicës parlamentare dhe ndryshimeve kushtetuese, ndërrojnë paradigmën e deritanishme të masave kozmetike dhe mashtruese.

Me publikimin e listës së kandidatëve të përzgjedhur nga gjenerata e fundit e Akadamisë për gjyqtarë dhe prokurorë, opinioni u fokusua me të drejtë në partizimin skandaloz të kësaj liste. Por, ajo që pothuajse askush nuk e përmendi, është fakti se vetëm 22% e të përzgjedhurve janë shqiptarë, gjë që bie në kundërshtim me frymën e diskriminimit pozitiv të M.O.-së, me përfaqësimin aktual të shqiptarëve në pushtetin gjyqësor dhe me rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë.

Diskriminimi pozitiv apo “affirmative action”, siç njihet në botën anglo-saksone, është në themele të M.O.-së. Kjo nënkupton se në çdo rekrutim të ri në sektorin publik, duhet të ketë bipërfaqësim të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera të nënpërfaqësuara, në mënyrë që të rikuperohet disbalanci i theksuar që ka rezultuar nga diskriminimi sistemor në tërë historinë e shtetit. Kuota prej 22% në rekrutimin e fundit të Akademisë, është shumë larg këtij synimi.

Shqiptarët me regjistrimin e fundit, përbëjnë 31,5% të popullsisë së përgjithshme. Përveç se kjo kuota e Akademisë është e padrejtë, karshi balancit të përgjithshëm demografik, ajo pamundëson edhe rikuperimin e disbalancit brenda institucioneve veç e veç. Aktualisht, dhe 22 vite nga miratimi i M.O.-së, shqiptarët përfaqësohen me vetëm 15,67% në gjykata, 15,57% në prokurorinë publike, 9,09% në Këshillin gjyqësor dhe 7,69% në Gjykatën Kushtetuese. Pra, me këtë ritëm, arritja e cakut të 31,5%-ëshit, i cili vetëm se do të rritet gjatë dekadave të ardshme, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në pushtetin gjyqësor mund të marrë “ad vitam æternam”, apo më mirë thënë se ky cak nuk do arrihet kurrën e kurrës.

Dhe natyrisht, dihet se gjendja është edhe më keq në shumë sektorë tjerë të jetës publike, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes, sigurisë dhe inteligjencës, ku madje përjashtohet me ligj zbatimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, dhe për pasojë, kemi për shembull njësite speciale policore si ai ‘Tigrat’, ku nuk gjendet asnjë shqiptarë, nën arsyetime tallëse dhe fyese si ai i Ministrit të Policisë Spasovski, se nuk u gjetka as edhe një kandidat shqiptar që dinë not.

Marrëveshja e Ohrit ka tre shtylla kryesore:
1. përfaqësimi i drejtë dhe adekuat;
2. përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare; dhe
3. decentralizimi dhe riorganizimi territorial.

Konstatimi i trishtë është se politika shqiptare ka dështuar thuajse tërësisht në secilën prej këtyre tre shtyllave. Ndërsa përfaqësimi u adresua më sipër, gjendja nuk është hiç më mirë as në dy shtyllat tjera të M.O.-së.

Edhe përkundër disa avancimeve, gjuha shqipe vazhdon të ngelet gjuhë e përkthyer nga ajo maqedone, madje sipas vullnetit të mirë ose jo të zyrtarëve të shtetit, dhe ajo vazhdon të cilësohet në mënyrë pezhorative dhe inferiore në Kushtetutë si “gjuha që e flasin mbi 20% e popullsisë e që është e ndryshme nga gjuha maqedone”.

Decentralizimi, në anën tjetër, vazhdon të jetë një farsë në vete. Organizimi territorial pas miratimit të M.O.-së ka krijuar enklava maqedone në territoret ku jetojnë shqiptarët, me metodën serbe të zbatuar në Kosovë, duke thyer kontinuitetin territorial shqiptar në vend. Decentralizimi fiskal është në nivelin më të ulët në Evropë, pas Moldavisë, gjë që mirëmbanë logjikën e komunave pa autonomi politike karshi nivelit qendror, të nën financuara, të zhytura në borxhe, dhe si pasojë, të paafta për të zbatuar kompetencate tyre ligjore.

Pra, ajo që është e qartë është se M.O.-ja si frymë ka dështuar në zbatim për shkak të improvizimeve dhe projekteve mashtruese të imponuara nga partitë maqedone me ndihmën e BDI-së, e cila ka qenë në pushtet thuajse pa ndërprerë që nga miratimi i M.O.-së dhe në krye të trupave politike për zbatimin e saj.

Siç thoshte Arbën Xhaferi, “të drejtat janë të pashfrytëzueshme poqese nuk caktohen mekanizma për realizim të tyre ose nuk caktohen mjete financare se si ato duhet të realizohen dhe të bëhen realitet.”

Dhe kjo është saktësisht arsyeja se pse M.O.-ja, e cila ishte paraparë që të realizohet për një legjislaturë parlamentare, në fakt është marrëveshje e vdekur: një frymë në esencë politike si ajo e Ohrit, nuk mund të zbatohet pa legjislacionin përkatës, që përcakton të drejtat dhe obligimet, identifikon qartë pronarët e të drejtave dhe përgjegjësit e obligimeve, krijon mekanizma zbatimi dhe llogaridhënie, dhe parasheh mënyrat për realizimin e të drejtave përmes rrugëve administrative dhe gjyqësore.

Zhvillimet aktuale, me zgjerimin e shumicës parlamentare dhe ndryshimet e paralajmëruara kushtetuese, paraqesin një momentum të ri për të mbyllur përfundimisht Marrëveshjen e Ohrit dhe hapur një faqe të re në historinë e Maqedonisë së Veriut.

Deklarata e zotimeve qeverisëse e publikuar nga Aleanca për Shqiptarët, ka potencialin për të mbyllur shtyllat që kanë të bëjnë me përfaqësimin adekuat dhe decentralizimin.

Në njërën anë, amendamentimi i ligjeve antikushtetuese, siç janë, ai për të punësuarit në sektorin publik dhe ai për Punët e brendshme, do t’i jipnin fund shkeljeve ligjore të parimit kushtetues të përfaqësimint adekuat. Ligji për përfaqësim të dejtë dhe adekuat do të mbyllte definitivisht këtë kaptinë, duke përcaktuar masat e veçanta, procedurale e institucionale për t’u zbatuar punësimi proporcional i komuniteteve.

Hartimi i një kornize të re për financimin e komunave si dhe shndërrimi i Byrove për zhvillim të barabartë rajonal në Agjenci, në anën tjetër do të ishin një hap i madh drejt decentralizimit fiskal funksional dhe forcimit të politikës rajonale. Natyrisht, kjo shtyllë e M.O.-së nuk mund te konsiderohet e mbyllur pa një ligj të ri për organizim territorial, i cili do të ridefinonte ndarjen e kufijve komunalë, pa tabu dhe në funksion të mirëqenies së qytetarit.

Për fund, shtylla e parë e M.O.-së rreth zyrtarizimit të plotë të gjuhës shqipe, mund të përmbyllet në kuadër të ndryshimeve kushtetuese në qoftëse partitë shqiptare, pa dallim pushtet-opozitë, unifikohen rreth kërkesës që Kushtetuta e re të përcaktojë se “Gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë gjuha maqedonase dhe gjuha shqipe, në shkrimin dhe alfabetin e tyre”, me fleksibilitete në nivelin lokal në ato komuna ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë të ndryshme nga njëra gjuhëzyrtare.