Arbër Çeliku
Rrethanat e krijuara politike në RMV, të cilat karakterizohen si tepër të brishta, duke pasur parasysh lëmshin me fije të pleksura ngjeshur me njëra tjetrën të klientalizmit, zullumit, krimit, korrupsionit dhe mafiozllëkut, nuk të lënë shumë për të dëshiruar. Sado që partitë tona të rrahin gjoksin se kanë bërë diçka për të qenë, dihet botërisht se strumbullarin e veprimtarisë politike në këtë vend e dredhin dy partitë maqedonase, LSDM-ja dhe VMRO-ja, të cilat, duke qenë të vetëdijshme për epërsinë e tyre kushtetuese ndaj nesh, nepsit tonë të skajshëm për pushtet dhe pasuri, mospasjes së vizionit afatgjatë politik dhe shoqëror, paaftësisë intelektuale dhe politike, mentalitetit të çoroditur të karakterizuar me inat mushke dhe prirjes tmerruese për bajraktarizëm, i tjerrin aq mirë fijet e këtij lëmshi të stërngarkuar politik sa dita-ditës, që nga Marrëveshja e Ohrit e këndej, partitë tona po i nxjerrin jashtë loje, si rrjedhojë, duke na katandisur si mos më keq edhe neve si popull. Madje, edhe në sferën e klientelizmit, krimit, zullumit, korrupsionit dhe mafiozllëkut (se punët e mira në këtë vend janë për faqe të zezë, këtë e dëshmon më së miri ikja masive e rinisë tonë të dëshpëruar), roli i partive tona të deritanishme është tepër minor krahasuar me ato maqedonase, të cilat e kanë bërë shprehi të na japin ndonjë asht, sa të na mbajnë lidhur për huri.
Është bërë tashmë traditë e jona, që entiteti shtet të shihet si një kërmë, nga e cila secili përpiqet të rrjepë sa më shumë. Mbi një dekadë, VMRO-ja shkretoi sa mundi, pa dashur tani t’i përsëris gjërat që të gjithë i dimë. Ajo na e vrau shpresën, sidomos neve shqiptarëve duke na varfëruar, margjinalizuar dhe poshtëruar skajshmërisht. LSDM-ja erdhi në emër të shpresës, dhe jo që mundi ta mbante gjallë atë, por e ngordhi për fare. Mjafton ta kujtosh Bokin dhe Katicën, dhe mënjëherë të ngjethet trupi nga neveria. Emërimi politik i disa dudukëve nëpër pozita kyçe shtetërore, me diploma të marra brenda natës në fabrikat e dijes dhe shkencës, që i di mirë e mirë shteti dhe mbarë opinioni publik, të bën të mendosh se nuk jeton më në shekullin 21, por në Mesjetë.
Ikin rinia, dimë ankohemi orë e çast. Po, ikin se ata janë rritur në shekullin e teknologjisë dhe shoqërisë informative, anglishten e dinë qysh në djep, jo si këta dudukët që as dy fjalë në gjuhën amtare nuk i lidhin dot dhe dinë vetëm të fotografohen si shoku Tito nëpër zyrat e tyre me një grumbull flamujsh pas, madje edhe me atë të SHBA-ve dhe UE-së, ku dija dhe shkenca nuk janë mashtrim, por bukë goje.
Si gjithmonë, lufta politike në RMV ndodh në kampin maqedonas, atje bëhen plane strategjike për dekadën e ardhshme, partitë tona merren me dalje në syrret dhe fjalë të mëdha në sokak, strategjitë politike do t’i bëjnë kur më të mos mbetet askush këtu.
LSDM-ja, e ngushtuar të shkojë në zgjedhje të parakohshme, shkaku i çantës Louis Vitton të Bokit 13, por e vetëdijshme se e pret një fazë e errët deri në ditën e zgjedhjeve, karshi një VMRO-je, e cila në popullatën maqedonase i shfrytëzon me mjeshtri “gabimet” e saj (duke i fabrikuar si tradhti popullore, edhe pse e di fare mirë se nuk do të mund t’u ndryshojë asnjë presje si Marrëveshjes së Prespës dhe as asaj me Bullgarinë), bën përpjekje maksimale që përmes shqiptarëve të vazhdojë të mbesë në pushtet, duke pasur garanci edhe nga faktori ndërkombëtar, nëse humbja nuk do të jetë tepër e thellë.
Dhe, dorën në zemër, edhe për ne shqiptarët LSDM-ja duhet të jetë opsioni më i mirë i së keqes së domosdoshme, duke marrë parasysh dëmin e madh që na e bëri VMRO-ja. Megjithatë, ajo tregohet mjaft e dobët në këtë lojë politike. Në vend që ta bashkojë opozitën shqiptare, ajo vazhdon ta përçajë atë. Ende kujton se te shqiptarët do të hyjë si në zgjedhjet e fundit, kur sot aktivistët ia grisin librezat publikisht. LSDM-ja nuk mund të bëjë më politikë të dyfishtë: rrudhjen e deputetëve shqiptarë dhe formimin e qeverisë me shqiptarët, me synimin që pas formimit të qeverisë mos të jetë e kushtëzuar për interesat jetike kombëtare tonat, se, siç po shihet, madje mund t’i mungojnë numrat edhe me gjithëpërshirjen e partive shqiptare në formimin e qeverisë.
Me këtë strategji politike, LSDM-ja le që do ta djegë veten, por do t’i djegë edhe partitë shqiptare, sidomos të opozitës, të cilat me gjasë nuk arrijnë ta nuhasin këtë rreng politik.
Sa për popullin, ai s’ka ç’të humbë më. Gjermania ka vend për të gjithë. Kështu më tha një studenti im këto ditë.