Zendeli: Pse jo? Edhe BDI-ja mund të shkojë në opozitë (VIDEO)

Deputeti Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA, që është pjesë e koalicionit me LSDM-në, nuk përjashton mundësinë që shumica e re parlamentare të krijohet pa BDI-në. Pak para nisjes së seancës konstituive, Zendeli për gazetën LAJM tha se, zyrtarish negociatat pritet të nisin nga sot dhe se, gjithçka do të varet nga numrat. Ai, tha se parimi “fituesi me fituesin” është shkelur në vitin 2016 dhe nuk përjashtoi mundësinë që të shkilet sërish.
“Sot është konstituimi i Kuvendit dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, nga sot do të fillojnë të rrjedhin edhe afatet dhe procedurat për formimin e qeverisë së re. Kuptohet që shumica parlamentare do ta fitojë edhe mandatin nga Presidenti i shtetit që të mund edhe formalisht të fillojnë bisedimet për krijimin e qeverisë së re. Kjo nënkupton se ka pas kontakte të ndryshme brenda kohës dhe spekulime të ndryshme, por ajo që është zyrtare fillon nga sot”, u shpreh Zendeli për gazetën LAJM.
A do të praktikohet parimi “fituesi me fituesin” gjatë formimit të qeverisë së re?
“Në vitin 2016 për rrethana të njohura tashmë nuk u respektua. Kur njëherë thyhet një rregull, ajo është një rregull që krijon një pratikë, por a do të jetë praktikë, do të shohim ditëve në vijim”, tha Zendeli.
A mund të shkojë BDI-ja në opozitë?
“Pse jo? Çdo kush mund të shkojë në opozitë. Edhe BDI-ja mund të shkojë në opozitë. Të gjithë opsionet janë të hapura”, tha Zendeli.
Ai, tha se, Lëvizja BESA nuk ka asgjë kundër të pjesë e qeverisë së re të jetë edhe partia “Alternativa”./Gazeta LAJM