Zendeli: Lëvizja Besa do të propozojë ligj për statusin e UÇK-së, BDI u tall me ushtarët (Video)

Deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli, ka bërë të ditur se kjo parti është duke punuar në hartimin e Ligjit për statusin e UÇK-së dhe ka paralajmëruar se së shpejti nisma e tillë ligjore do të dorëzohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Në një prononcim për gazetën LAJM, Zendeli akuzoi BDI-në se për dy dekada ka keqpërdorur ushtarët e UÇK-së për qëllime politike, ndërsa nuk ka ndërmarrë asgjë për të rregulluar statusin e tyre juridik.

“Ne si subjekt Lëvizja Besa e kemi shqyrtu këtë situatë dhe jemi duke i bërë konsultimet e duhura, për shkak se duhet me i gjet formulimet e duhura, adekuate, që të mund të gjindet një zgjidhje që është e qëndrueshme, mos keqkuptohet në opinionin publik. Jemi duke analizuar dhe do të ketë një iniciativë të tillë”, tha Zendeli për gazetën LAJM.