Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka sugjeruar të dielën në mbrëmje se ka ardhur koha që Evropa të zgjedhë negociatorin e saj të preferuar për bisedimet eventuale të paqes me Rusinë.
Pas një bisede që kishte zhvilluar me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, Zelensky ka thënë se ata kanë rënë dakord që “Evropa duhet të përfshihet në negociata” dhe të “ketë një zë dhe prani të fortë në këtë proces”.
“Ia vlen të përcaktohet se kush do ta përfaqësojë Evropën konkretisht”, ka deklaruar Zelensky.
Sugjerimi i presidentit rus, Vladimir Putin për ish-kancelarin gjerman pro-rus, Gerhard Schröder, është hedhur poshtë shpejt për shkak të lidhjeve të tij me Moskën.
Bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë deri më tani janë udhëhequr nga ndërmjetës amerikanë, teksa ato nuk janë zhvilluar më që kur ka nisur lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, më 28 shkurt.



