Zelensky, Scholzit: Rrëzojeni murin që po krijon Evropa

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë një fjalim emocional para Parlamentit gjerman të enjten, duke bërë thirrje për “rrëzim” të murit që Rusia është duke ndërtuar për të ndarë Evropën, përmes pushtimit të Ukrainës.

“Nuk është Mur i Berlinit – është mur në Evropën Qendrore, në mes të lirisë, dhe ky mur po rritet me çdo bombë” të rrëzuar në shtetin tonë, ka thënë Zelensky para deputetëve gjermanë më 17 mars.

“Zoti Scholz, rrëzojeni këtë mur”, ka thënë ai duke iu referuar kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Kjo thirrje ka qenë e ngjashme me atë të ish-presidentit amerikan, Ronald Reagan, në fjalimin e vitit 1987 para Portës Brandenberg, kur ka sfiduar homologun e tij sovjetik, Mikhail Gorbachev, që ta bëjë të njëjtën gjë.

Ky fjalim i Zelenskyt është i radhës pas fjalimeve të ngjashme që ai ka mbajtur në Kanada, Britani dhe Shtetet e Bashkuara, duke bërë thirrje për më shumë mbështetje që të mposhtet agresioni rus.

Lideri ukrainas i ka bërë thirrje Berlinit që të mbështesë Ukrainën në kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe e ka qortuar pse nuk ka vepruar shpejt për të anuluar pjesëmarrjen në projektin e gazsjellësit, Rrjedha Veriore 2, ndonëse ka pasur shenja se pushtimi do të ndodhte.

“Ekonomi, ekonomi, ekonomi”, ka qenë përgjigjja ndaj thirrjeve të Ukrainës që projekti të rrëzohet, ka thënë Zelensky.

Gjermania ka pezulluar projektin, i cili kishte synim që të rriste sasinë e gazit që do të shkonte nga Rusia në Gjermani.