Zelensky: Ftesa për NATO do të ishte ideale

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e cilësoi si “hap të rëndësishëm” thjeshtëzimin e procesit të anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Ftesa për anëtarësim “do të ishte ideale”, tha ai, por shtoi se, së paku, mund të shohë disa “pika specifike” që e sjellin Ukrainën më pranë NATO-s.

Zelensky po merr pjesë në ditën e dytë të samitit të aleancës ushtarake, në Vilnius të Lituanisë.

Një ditë më herët, udhëheqësit e të 31 vendeve anëtare u pajtuan që Ukraina të ftohet në NATO “kur ata të bien dakord” dhe “të plotësohen kushtet”.

Ata u dakorduan edhe për thjeshtëzimin e procesit të anëtarësimit të saj, duke i hequr një plan anëtarësimi që kërkon përmbushjen e reformave të caktuara politike dhe ekonomike.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Zelensky tha se e kupton se përse disa aleatë të NATO-s “i druhen” anëtarësimit të Ukrainës në aleancë.

“… sepse, askush nuk do që të ketë një luftë botërore”, tha Zelensky, vendi i të cilit ndodhet nën pushtimin rus qysh në shkurt të vitit të kaluar.

Me rregulloren e saj, NATO-ja e trajton një sulm të armatosur ndaj një vendi anëtar si sulm ndaj të gjithëve – që do të thotë se aleatët janë të detyruar ta ndihmojnë njëri-tjetrin.

Stoltenberg, duke folur përkrah Zelenskyt, tha se “Ukraina është më afër NATO-s se kurrë”.

Ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin, e nënvlerësoi guximin e popullit të Ukrainës dhe të forcave të saj të armatosura, ashtu si edhe vendosmërinë e udhëheqjes së vendit.

Stoltenberg tha se Putin, gjithashtu, e nënvlerësoi unitetin dhe forcën e anëtarëve të NATO-s, përballë pushtimit të tij.

Ai tha se aleanca ushtarake do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të duhet.

Në ditën e dytë të samitit të NATO-s në Vilnius u mbajt edhe sesioni inaugurues i Këshillit NATO-Ukrainë.

Stoltenberg e vlerësoi këtë si një kapitull të ri në marrëdhëniet mes aleancës dhe Ukrainës.

“Sot takohemi si të barabartë. Mezi pres ditën kur do të takohemi si aleatë”, tha ai.

Ukraina është duke trokitur në dyert e NATO-s qysh në vitin 2008, kur i është premtuar se një ditë do të jetë anëtare.

Zelensky, të martën, ishte më kritik ndaj aleancës, duke thënë se është “absurde” që Ukraina nuk e ka një afat kohor për ftesë apo anëtarësim.

Në një tjetër zhvillim në Vilnius, grupi i vendeve më të industrializuara, i njohur si G7, tha se do të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën dhe konfirmoi se secili prej vendeve do të punojë me Kievin për detyrime dhe marrëveshje specifike të sigurisë.

Qëllimi, sipas G7-ës, është të sigurohen pajisje moderne për vendin në luftë, në të gjitha fushat: tokësore, ajrore dhe detare, duke i dhënë përparësi mbrojtjes ajrore dhe artilerisë./REL