Zejadin Ismaili, figura që vuri themelet e muzikës artistike jo vetëm në qytetin e Kumanovës por edhe në mbarë Maqedoninë.

– Zejadin Ismaili, (1944 – 2015), u lind në fshatin Orkoc, komuna e Likovës (Karadaku i Kumanovës). Ka mbaruar studimet për muzikë në Shkup. Pas përfundimit të studimeve, krahas procesit edukativo arsimor, në shkollat fillore e të mesme të komunave Kumanovë – Likovë, ai vazhdon veprimtarinë e tij krijuese me mjaft zell e sukses, të cilën e kishte filluar që nga bankat studentore.

– Që nga viti 1968 merret me kompozimin e këngëve për fëmijë, këngëve korale, popullore, të lehta, zbavitëse, balada, pastaj me punime pedagogjike, nga historia e muzikës, shkrime biografike, folkloristike, kritikë muzikore e letrare, eseistikë, publicistikë, poezi, recensione, muzikë dramaturgjike profesionale e amatore, dokumentaristikë, perkthime nga maqedonishtja në shqip dhe anasjelltas etj.

– Opusi i tij krijues në fushën e botimeve numëron 26 botime, si këto vepra: Notat e Lazdruara – (50 këngë solo e korale për femijë dhe tema pedagogjike), Bletëzat – (93 këngë solo e korale për fëmijë dhe tema pedagogjike, Muzika nëpër shekuj (gjurmëve të zanafillën e muzikës), Mbi folklorin dhe llojet e tij, Sharri këndon (studime folkloristike), Metodika e muzikës për klasët e ulëta (për arsimtarë), Doracak metodash për klasët e larta, Muzika në aspekte të ndryshme e trajtesa tjera,  Arsimi muzikor – për klasën e V;  Fletore pune – për klasën V; Arsimi muzikor – për klasën e VI; Fletore pune – për klasën VI; Arti muzikor 1 – për shkollat e mesme; Pesë dokumentarë – (trajtesa folkloristike e muzikologjike); Arsimi muzikor – për klasën VII; Fletore pune – për klasën e VII; Arsimi muzikor – për klasën VIII; Fletore pune – për klasën VIII; Arti muzikor 2; Arsimi muzikor për klasën e parë – (në koautorësi); Arsimi muzikor për klasën e dytë – (në koautorësi); Arsimi muzikor për klasën e tretë – (në koautorësi); Në botën e këngës për fëmijë – (në koautorësi); Arsimi muzikor për nxënësit e vitit përgatitor; Reflekse muzikologjike dhe publicistike, dhe kjo e fundit, Hove shpirtërore – (shqyrtime dhe trajtesa letrare).

– Nga viti 1976 bëhet pjesëmarës i rregulltë i shumë festivaleve zbavitëse (të lehta), si psh: në festivalet: “Femijët këndojnë” (shumë vite, me këngë për fëmijë), “Trëndelina” (disa herë, me këngë për fëmijë) dhe “Fluturat” Kumanovë (me këngë për fëmijë), “Akordet e Kosovës” – Prishtinë (disa vite, me këngë për fëmijë, popullore e zbavitëse), “Bilbilat e pranverës”, (me këngë për fëmijë), “Bilbilat këndojnë” (me këngë për fëmijë) dhe “Fatosat” Shkup (me këngë për fëmijë), “Bletëzat” Tetovë (me këngë për fëmijë), në festivalin “Këngë Jeho” – Strugë (disa vite, me këngë popullore), në festivalin mbarëkombëtar në Shkodër (disa vite, me këngë popullore dhe fëmijërore), në Peshkopi (me këngë për fëmijë), Durrës (me këngë për fëmijë) etj., dhe në shumicën e këtyre festivaleve është shpërblyer. Ka të incizuara shumë këngë në RTV-Prishtinë, RTSH-Tiranë, e shumë audio dhe video-kaseta, në radio e televizione shtetërore e private, që kalojnë numrin e tyre mbi 60.

– Zejadin Ismaili paraqitet edhe si recenzent dhe redaktor në libra (vepra) të ndryshme dhe të shumta muzikore e muzikologjike, letrare (poezi e prozë), por edhe filozofike, pedagogjike, publocistike, folkloristike, artit figurativ, audio dhe video kasetave, e të tjera.

– Ka kompozuar mbi 300 këngë për fëmije, korale, popullore, të lehta. Rreth 200 punime muzikologjike, shkencore e publicistike. Është formuar kor gjysëm-profesional i cili në nderim mban emrin ”Kori Komunal Zejadin Ismaili”. Edhe pse u shpërblye me shumë çmime laureate, ai jetoi pa e përjetuar vlerësimin e duhur nga vendi dhe institucionet shtetërore, ka pasur tentime për të freskuar kujtesën për të, por, nuk kanë qenë në formë profesionale siç ai do të kishte dëshiruar. / CenterColibris

Ndiqni akademinë përkujtimore: