Zbulohet paga marramendëse e Lionel Messit tek Inter Miami, teksa është konfirmuar ‘klauzola Beckham’

Është zbuluar paga marramendëse e Lionel Messit tek Inter Miami. Verën e kaluar Messi u largua nga PSG-ja për t’u bërë pjesë e Inter Miamit, me argjentinasin që transformoi menjëherë klubin duke shënuar 11 gola dhe duke bërë katër asistime, drejt fitimit të trofeut të parë në histori të tyre.

Këtë sezon, 36-vjeçari ka pasur një start fantastik të sezonit në MLS, duke shënuar pesë gola dhe duke dhuruar dy asistime në pesë ndeshje të luajtura në të gjitha garat.

Miami kishte tentuar që ta joshë Messin për largim nga Evropa që prej debutimit të tyre në 2020, teksa pronari i klubit Jorge Mas ishte takuar me babain e Messit për të diskutuar detajet në shtator të 2019.

Sipas revistës Forbes, ani pse paga e argjentinasit tek Miami është shumë më e vogël se sa ajo që i kishin ofruar nga Arabia Saudite (400 milionë euro në vit), ai është ende në mesin e lojtarëve më të paguar në botë.

Mas kishte pretenduar se Messi do të fitojë mes 50-60 milionë euro në sezon pagë neto. Ai gjithashtu do të ketë mundësinë që të përfitojë edhe më shumë para përmes marrëveshjeve të tij me Apple dhe Adidas.

Ka gjithashtu një klauzolë që njihet me emrin ‘klauzola David Beckham’, e cila i dhuron argjentinasit opsionin për të marrë pronësinë e klubit pa pasur nevojën e blerjes.

Koha se kur Messi do t’i var këpucët në gozhdë nuk është bërë ende e ditur. Ai ka kontratë deri në 2025 në Miami, me opsionin e rinovimit edhe për një vit tjetër.