I pakënaqur nga ‘injorimi’ që po i bën Ancelotti, Newcastle i ofron një rrugëdalje yllit të Real Madridit

Një raportim i fundit nga mediumi Mundo Deportivo, ka përmendur se si klubet e Ligës Premier mund të bëjnë ‘gjueti’ tek Real Madridi në kërkim të lojtarëve të rinj.

Lojtarët si Ferland Mendy dhe Rodrygo janë në mesin e yjeve që janë futur në radarin e klubeve angleze teksa po i afrohemi fundit të sezonit.

Një tjetër lojtar që mund të bëhet pjesë e kësaj liste është edhe ish-mesfushori i Arsenalit, Dani Ceballos.

Newcastle United të etur për të nënshkruar me Ceballos

Raportimi nga Mundo Deportivo citon mediumet angleze që pretendojnë se disa klube të Ligës Premier janë të interesuara për shërbimet e Ceballos këtë verë.

Newcastle United në veçanti, kanë shfaqur interesim konkret për nënshkrimin me Ceballos, teksa po synojnë të përforcojnë mesfushën.

Si pasojë e lëndimeve dhe faktorëve të tjerë, Ceballos ka luajtur vetëm 228 minuta në ligë këtë sezon.

A do të rikthehet Ceballos përsëri në Angli?

Ceballos besohet se është i hapur për largim nga Real Madridi kjo për shkak të treshes Valverde, Tchouameni dhe Camavinga që është njëra ndër arsyet kryesore pse ai mendon që koha e tij në Madrid ka përfunduar.

27-vjeçari ka pasur një eksperiencë të pasur në Ligën Premier në të kaluarën, pasi ka kaluar disa sezone si huazim tek Arsenali.