Zaharieva: Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kriter evropian për anëtarësim në BE

Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë nuk janë shpikur nga Bullgaria dhe ato janë kusht dhe kriter themelor për anëtarësimin në BE. Maqedonia e Veriut duhet të respektojë dhe zbatojë Marrëveshjen e miqësisë dhe fqinjësisë së mirë që e nënshkruam”, tha zëvendëskryeministrja dhe ministre e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

“Goce Dellçev është një nga çështjet e shumta që duhet të zgjidhen”, thotë Zaharieva. “Ne insistojmë në fqinjësi të mirë, i cili nuk është një kriter për anëtarësi i shpikur nga Bullgaria, por është kriter evropian – që duhet të respektohet gjatë gjithë kornizës së negociatave”, e transmeton BGNES deklaratën e zëvendëskryeministres bullgare.

“Ne kemi apeluar shumë herë që të kthehemi në zbatimin e marrëveshjes. Ka tashmë kontakte midis anëtarëve të Komisionit të përbashkët për çështjet historike. Puna e saj u pezullua një vit më parë, në mënyrë të njëanshme nga Shkupi, sipas ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

E pyetur në lidhje me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, Zaharieva tha: “Ne jemi akoma në proces të diskutimit të kornizës së negociatave në grupet e punës evropiane, madje ajo nuk ka arritur nivelin e ambasadorëve”.

Zaharieva tha se pret që homologu i saj maqedonas, Bujar Osmani, të vizitojë Sofjen javën e ardhshme.

Sipas saj, askush nuk mund ta tradhtojë historinë e vet, por çështja nuk është të tradhtojmë të ardhmen tonë. “Historia duhet të njihet ashtu siç është. Këtu nuk bëhet fjalë për mijëra vjet, ka mjaft burime të shkruara autentike historike”, tha ministrja bullgare e Punëve të Jashtme.