Zaev – Markush: Sllovakia mbetet partnere e përkushtuar në procesin integrues

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev sot u takua me ambasadorin e Republikës së Sllovakisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Henrik Markush.

Në takim u bisedua për disa tema aktuale, si procesi i integrimit të Maqedonisë së veriut në BE, anëtarësimi në NATO, zbatimi i reformave, situata aktuale politike në vend dhe puna e Qeverisë teknike e cila është e angazhuar për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në prill.

“Shteti ynë ka bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Republikën e Sllovakisë dhe ai do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Posaçërisht ndjejmë kënaqësi për mbështetjen e madhe që na e jep në drejtim të procesit integrues të vendit në Bashkimin Evropian”, theksoi kryetari Zaev në takimin me ambasadorin sllovak Markush.

Ai theksoi se pritjet dhe sinjali pozitiv që arriti nga vendet anëtare evropiane, përfshirë edhe nga Franca, përkatësisht nga presidenti Makron janë se vendi nuk ka pengesa të jetë pjesë e BE-së, por pritet përgatitja e metodologjisë së re e cila do të thotë përmirësim i vetë procesit të qasjes së vendeve në të. Ndërkaq tashmë në muajin mars presim të përfundojë edhe procesi i ratifikimit të anëtarësimit në aleancën e NATO-s edhe nga ana e Spanjës. Republika e Maqedonisë së Veriut ulet në në karrigen e Aleancës së NATO-s si vendi i 30-të anëtar.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev theksoi edhe se për ne si shtet është mirë të japim argumente shtesë para BE-së përmes miratimit të Ligjit për prokurorinë publike. Është shumë me rëndësi, Ligji të hyjë në Kuvend dhe të miratohet. Sepse Ligji për prokurorinë publike është i rëndësishëm për jurisprudencën, për shtetin dhe për qytetarët”, porositi kryetari Zaev.

Lidhur me funksionimin e Qeverisë teknike, Zaev theksoi se ajo funksionon shkëlqyeshëm, por edhe e theksoi rëndësinë e vazhdimit të proceseve të filluara ekonomike në shtet.

Mjaft i rëndësishëm është transformimi i plotë i shoqërisë, departizimi i administratës dhe formimi i parlamentit i cili do t’i përfshijë të gjitha partitë, pa dallim edhe të atyre të cilët do të humbin në zgjedhje, theksoi Zaev.

Ambasadori sllovak Henrik Markush, nga ana e tij e theksoi mbështetjen e madhe të Republikës së Sllovakisë ndaj vendit tonë si në planin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.

Njëkohësisht theksoi se vendi meriton të jetë pjesë e BE-së, por edhe rëndësinë e marrjes së datës për negociata me BE-në, të cilët nuk guxojnë tashmë të shtyhen, përkatësisht metodologjia e re të mos jetë arsyetim.

Në takim të dyja palët u dakorduan se zhvillimi i mundësive ekonomike dhe përforcimi i bashkëpunimit ekonomik përmes investimeve janë në interes të të dy shteteve.

LSDM – Qendra për komunikim me opinionin