Xhemaili bashkohet me Donadonin në Kinë!

Blerim Xhemaili nuk i trembet aspak coronovirusit që ka prekur Kinën dhe udhëton pikërisht drejt Lindjes së Largët për të vijuar karrierën. Pas shumë eksperiencave në Europë, mesfushori me origjinë shqiptare ka lënë përfundimisht Bolognan dhe është transferuar te skuadra e Shenzhen në Kinë aty ku do të gjejë ish-trajnerin e tij te kuqeblutë, italianin Roberto Donadoni i cili aktualisht është në krye të skuadrës kineze. Nuk dihet shifra që ka përfituar Bologna nga shitja e Xhemailit ndërkohë që lojtari ka firmosur për 1 vit e gjysmë me skuadrën nga provinca e Guangdong që në sezonin e ri atë të vitit 2020 të futbollit kinez do të militojë në Kategorinë e dytë pasi u rrëzua nga Superliga për shkak se në vitin 2019 u pozicionua në vendin e 15-të duke mos arritur dot të sigurojë qëndrimin në elitë. Me Donadonin në stol dhe eksperiencën e Xhemailit në fushën e lojës Shenzhen do të synojë të rikthehet menjëherë në Superligën kineze. Për ish-mesfushorin e përfaqësueses zvicerane kjo nuk do të jetë aventura e parë jashtë Europës pasi në vitin 2017-të ai ishte pjesë e kanadezëve të Montreal Impact në Major League Soccer ku arriti të realizonte 7 gola në 22 takime. 33-vjeçari në karrierën e tij të gjatë ka mbajtur veshur fanellat e Zurich në Zvicër, Bolton Wandrers në Angli, Torinos, Parmës, Genoas, Napolit dhe Bolognas në Itali dhe Galatasaray-t në Turqi. Kjo te Shenzhen do të jetë aventura e tij e parë në kontinentin aziatik.