Xhaferi: Vepra e Kliment Ohridskit duhet të jetë shembull

Me rastin e festës ortodokse Dita e Kliment Ohridskit, që në Maqedoni festohet edhe si festë shtetërore, kryetari I Parlamentit Talat Xhaferi ka dërguar një urim deri te qytetarët e Maqedonisë. Në këtë urim, Xhaferi thotë se vepra e Kliment Ohridskit duhet të jetë shembull.
“Më paraqet nder dhe kënaqësi të veçantë që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të uroj festën shtetërore 8 Dhjetori, njëkohësisht edhe festë krishtere e përkushtuar për nderimin e Shën Klementit të Ohrit.
Jetëshkrimi i Shën Klementit duhet të jetë shembull për përkushtimin personal ndaj qëllimeve më të larta. Zhvillimi i civilizimit dhe i njeriut është reflektim i procesit mendor dhe edukativ. Në po atë zhvillim të njëjtë, Shën Klementi e ka investuar tërë jetën dhe punën e vet, nëpërmjet pjesëmarrjes në Misionin e Moravës, themelimin e Shkollës Letrare të Ohrit dhe Kryepeshkopatës së Ohrit, alfabetit cirilik dhe veprimtarisë letrare. Por, para së gjithash, Shën Klementi nëpërmjet jetës dhe veprës së vet na mëson se gjëja më e fuqishme që e posedon njeriu është fjala.
Qytetarë të nderuar, më lejoni edhe njëherë që t’Ju uroj festën e madhe dhe t’Ju uroj të kaloni një ditë të bukur festive”, thuhet në telegramin e urimit dërguar nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi.