Xhaferi – Timonie: Kuvendi është institucion kyç për funksionim të suksesshëm të sistemit

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me ambasadorin e Francës, Kristian Timonie.

Kryetari Xhaferi shprehi falënderim për mbështetjen nga Republika e Francës në përpjekjet për përmbushjen e prioriteteve strategjike të vendit dhe kënaqësi për bashkëpunimin e frytshëm bilateral.

Ai informoi ambasadorin francez për aktivitetet e ardhshme të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për zgjedhjen e komisioneve, delegacioneve dhe grupeve parlamentare të bashkëpunimit, si edhe miratimin e legjislacionit që ka të bëjë me procesin evropian, luftën kundër Kovid-19 dhe përpjekjet për mënjanimin e pasojave ekonomike nga pandemia.

“Ambasadori Timonie drejtoi urim për zgjedhjen e sërishme të Xhaferit në funksionin e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shprehu bindjen se roli dhe dukshmëria e Kuvendit, që është institucioni kryesor për funksionimin e suksesshëm të sistemit, do të vazhdojnë të përforcohen edhe në periudhën e ardhshme. Ai vlerësoi se kontrolli parlamentar është me rëndësi të madhe dhe shprehu mbështetje për punën e Këshillit Nacional të Eurointegrimeve, ku duhet të arrihet konsensus për çështjet kyçe të këtij procesi”, informojnë nga Kuvendi.

Në takim u theksua se vazhdimësia dhe thellimi i bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Asamblesë Nacionale dhe Senatit të Republikës së Francës, mund të kontribuojnë në masë të madhe në avancimin e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale dhe miqësisë mes dy vendeve.

“Duke e nënvizuar rëndësinë e diplomacisë parlamentare, bashkëbiseduesit shprehën shpresë se vizitat e biseduara kthyese të parlamentarëve francezë në Maqedoninë e Veriut do të realizohen sapo të përmirësohen kushtet shëndetësore”, theksojnë nga Kuvendi.