Koalicioni qeveritar VLEN i është përgjigjur kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, pas letrës së tij lidhur me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, duke e akuzuar se gjatë disa mandateve qeverisëse nuk arriti të miratonte një zgjidhje cilësore ligjore për të drejtat gjuhësore.
Sipas VLEN-it, ligjet e miratuara në vitet 2008, 2011 dhe 2018 nuk kanë siguruar barazi të plotë institucionale ndërmjet gjuhës shqipe dhe asaj maqedonase.
Nga VLEN-i pretendojnë se mangësitë në përdorimin e shqipes vazhdojnë të jenë të dukshme në gjyqësor, polici, ushtri, banka, Regjistrin Qendror dhe institucione të tjera.
Koalicioni qeveritar akuzon Ahmetin se për vite me radhë e ka përdorur çështjen e gjuhës shqipe si instrument politik, ndërsa mangësitë ligjore i ka arsyetuar me kompromiset e arritura.
Në reagimin e VLEN-it nuk mungojnë as ironitë ndaj ish-ministrave të BDI-së, të cilët, sipas këtij koalicioni, kalonin kohën duke luajtur futboll nëpër zyra, në vend që të përgatisnin një ligj cilësor për përdorimin e gjuhës shqipe.
Përplasja ndërmjet VLEN-it dhe BDI-së vjen pas reagimeve të fundit të Ahmetit lidhur me modelin e propozuar për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.



