BDI: VLEN-it i mungojnë argumentet juridike, prandaj zgjedh sulmet politike në vend të përgjigjeve

Kumtesa e VLEN-it nuk përmban asnjë përgjigje ndaj argumenteve juridike dhe fakteve të paraqitura në letrën e kryetarit Ali Ahmeti. Asnjë kundërshtim konkret, asnjë dispozitë ligjore, por vetëm një reagim politik që duket se është përgatitur në selinë e VMRO-DPMNE-së.

Para ardhjes në pushtet, përfaqësuesit e VLEN-it deklaronin se shqipja është gjuhë zyrtare, madje pretendonin se pikërisht ata e kishin bërë të tillë. Sot, për shkak të pafuqisë politike dhe mungesës së vullnetit për zbatimin e ligjit, përpiqen ta relativizojnë statusin e saj.

VLEN-i hesht edhe ndaj konstatimeve të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, të cilat përputhen me argumentet e Ali Ahmetit. Ligji është i qartë dhe duhet të zbatohet në të gjitha fushat që mbulon, përfshirë provimet profesionale shtetërore.

Gjuha shqipe nuk mbrohet me deklarata politike dhe arsyetime për pafuqinë në pushtet, por me zbatimin e ligjit dhe garantimin e të drejtave që ai përcakton, thuhet në reagimin e BDI-së.