Xhaferi: Ta plotësojmë amanetin e ushtarëve

Në qytetin e Kërçovës Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), bëri hapjen e shtabit komunal zgjedhor.

Me një fjalim rasti të pranishmëve u drejtua kryetari i kuvendit Talat Xhaferi, i cili është dhe kandidat për deputet dhe bartës liste në zonën e 5-të zgjedhore .

“Pas gati 20 vitesh jam i emocionuar kur e shoh se kam përkrahje madhështore nga njerëzit ashtu siç kishim dhe në vitin 2001 kur ishin në rolin e çlirimtarëve. Kam nderin dhe ndihem i privilegjuar të jem bartës liste në zonën pesë, edhe pse nuk vijë nga kjo zonë. Me këtë kandidim BDI vërteton se ne nuk jemi njerëz që i shërbejmë vetëm lagjes, apo qytetit tonë, por jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve, sepse të dashur të pranishëm, jeni ju ata që vendosni. Ju premtoj se do kryejmë punën tonë me ndër dhe përgjegjësi maksimale.

Premtoj llogaridhënie para qytetarëve, para liderit tonë dhe ta plotësojmë amanetin e ushtarëve që luftuan për të drejtat shqiptare. Do e bëj publik dhe raportin për punën që kam bërë si Kryetar i Kuvendit, jo vetëm për organet e partisë por për të gjithë qytetarët”, u shpreh Xhaferi.