Xavi dërgon sinjal të qartë tek Lewandowski pas transferimit të Vitor Roque

Trajneri i Barcelonës, Xavi ka paralajmëruar Robert Lewandowskin se mund të mbetet në bankën rezervë në rast se Vitor Roque dëshmon me paraqitjet e tij se meriton më shumë minuta.

Roque edhe zyrtarisht është regjistruar në La Liga pasi kompletoi lëvizjen e tij nga Athletico Paranaense këtë muaj dhe i bashkohet blaugranasve në një kohë kur Lewandowski është kritikuar për paraqitje të dobëta.

Lewandowski ka shënuar nëntë gola në 21 ndeshje, por ai ka shënuar në vetëm dy ndeshje që nga fundi i shtatorit dhe kjo ka bërë që tifozët të shqetësohen për rolin e 35-vjeçarit në skuadër.

Xavi shpreson që ta shoh Lewandowskin duke punuar së bashku me Roquen, por e ka paralajmëruar veteranin se ai nuk do të marr trajtim të veçantë, në rast se paraqitjet e tij nuk meritojnë minuta.

“Kjo ka ndodhur më parë (lënia në bankën rezervë e një lojtari të madh), unë tashmë e kam bërë. Unë nuk mund ta trajtojë një futbollist ndryshe nga tjetri, përndryshe grupi nuk do të funksionojë mirë”, ka thënë Xavi para gazetarëve.

“Nëse lojtarët janë në fushë, është sepse unë besoj se ata mund të ndihmojnë. Shembull është ndeshja e fundit mes dy pjesëve. Ne nuk po flasim për asgjë të re këtu”, vazhdoi tekniku spanjoll.

Ani pse i ri në moshë, Roque që prej se ka nisur karrierën profesionale si futbollist ka luajtur në qendër të sulmit, por Xavi është përgatitur për ta përdorur adoleshentin brazilian në pozita të ndyrshme, për ta bërë të mundshëm partneritetin e tij me Lewandowskin.

“Vitor mund të adaptohet në çdo pozicion në sulm, ai mund të luajë në krah ose si një sulmues qendre”, përfundoi Xavi.