Wesley Clark viziton Kosovën, ja çfarë i tha Javier Solana dhe cila ishte arsyeja që KFOR-i hyri në Kosovë

Gjenerali amerikan që udhëhoqi fushatën e bombardimeve të NATO-s që zgjatën për 78 ditë e kulmuan me çlirimin e Kosovës, Wesley Clark, do të qëndrojë për vizitë nesër në Kosovë.

Ai do të pritet me nivelin më të lartë ceremonial ushtarak dhe atë të protokollit shtetëror në vend teksa do të takojë të gjithë liderët tanë më të lartë shtetëror.

Ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark, për herë të fundit vizitoi Kosovën më 12 qershor të vitit 2019 teksa shënohej 20 vjetori i çlirimit e në po atë ditë ka rrëfyer ngjarjen e 12 qershorit të vitit 1999 kur morën vendimin për intervenimin në luftën e Kosovës.

”Më kujtohet kjo ditë, 12 qershori, e cila ka filluar me një telefonatë në orën 01:00 të mëngjesit nga Javier Solana. Ai ka se rusët kanë arritur në Prishtinë dhe më pyeti se çfarë do të bëjmë. Ne dërguam menjëherë KFOR-in”.

”Më 12 qershor KFOR-i ka filluar me lëvizje në Kosovë dhe unë kam qenë krenar me forcat. Ata kanë hyrë të armatosur, por kanë ardhur për paqe”.

”Në mëngjesin e ardhshëm ne kemi qenë në aeroport në Shkup dhe KFOR-i nuk ka pasë shumë vështirësi falë mënyrës diplomatike të Albright. NATO ka qenë e suksesshme dhe kemi mundësuar kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre. E gjithë bota kishte festuar. Jemi krenar me Kosovë”.

”Është shënuar një përparim i madh në Kosovë. Sa herë që vij këtu shoh ndërtesa të reja dhe entuziazëm të ri në këtë vend ku para disa vjetësh e ardhmja ka qenë e pasigurt”.

”Tani po flas si një ish-gjeneral i pensionuar dhe jam biznesmen kam vizituar shumë vende në mbarë botën”, pati deklaruar Clark.

Më 12 qershor 2019 gjatë qëndrimit në Kosovë, gjenerali Clark u nderua me dekoratën “Urdhri i Lirisë” nga ish-presidenti i vendit Hashim Thaçi.

”Dëshiroj ta falënderoj gjeneralin Clark për ardhjen e tij në Kosovë – në shtëpinë e tij, në mesin e njerëzve që e duan dhe respektojnë. 20 vjet pas çlirimit, është i veçantë edhe për ne edhe për të, pasi ka ndodhur me kontributin e jashtëzakonshëm të tij”, pati thënë ish-presidenti Thaçi atë ditë.