Vuçiq: Perëndimi do që katër vendet e BE-së ta njohin Kosovën në mënyrë që të anëtarësohet në NATO

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se “disa në Perëndim duan që katër vendet e BE-së, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Greqia ta njohin Kosovën, në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në NATO”.

Sipas kreut të shtetit serb, “këtë tashmë e ka konfirmuar edhe ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea”, transmeton Klankosova.tv.

Këto komente, Vuçiq i bëri në TV Pink pasi u pyet se si e komenton faktin se Shea ka thënë se duhet të pajtohen edhe katër vende të NATO-s që Kosova të anëtarësohet në Aleancën Veri-Atlantike.

“Ata duan ta shtyjnë atë ide, por nuk mendoj se është reale tani, nuk kanë nevojë për Serbinë si kundërshtare sepse nuk kanë nevojë për ndonjë problem diku tjetër. Por kjo ide ekziston. Historinë për NATO-n dhe Kosovën nuk e kam shpikur unë”, shtoi ai, transmeton Klankosova.tv.