Vritet me breshëri kallashnikovi në hyrje të shtëpisë Shkëlzen Velaj

Vlora është tronditur sërish nga vrasjet e tipit mafioz. Pak pas mesnate një atentat është bërë ndaj shtetasit Shkëlzen Velaj rreth 43 vjeç.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen lagjen “24 Maji” në qytetin e Vlorës ku Velaj është qëlluar me breshëri kallashnikovi në hyrje të shtëpisë së tij në katin e pestë të një pallati.

Nga plagët e marra, Shkëlzen Velaj ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Vlorë. Ndërkohë gjatë krehjes së zonës nga policia, në afërsi të fshatit Risili, është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes. Policia vazhdon krehjen e zonës dhe grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.

Si ndodhi ngjarja?

43 vjeçari Shkëlzen Velaj ka qenë duke hyrë për në shtëpi, kur ka vënë re se pranë pallatit ka qenë duke u ndjekur nga një makinë e dyshimtë. Velaj e ka lënë makinën e tij ndezur dhe ka ikur me vrap për tu futur në banesë, në katin e 5 të pallatit kur ka qenë duke hapur derën atentatori ka lëshuar breshëri plumbash në drejtim të tij.

Plumbat në drejtim të 43-vjeçarit kanë qenë nga një distancë e afërt. Në trupin e Velaj është lëshuar një karikatore automatiku, të cilat e kanë kushtuar jetën 43 vjeçarit.

Kush është Shkëlzen Velaj që mbeti viktimë e këtij atentati?

Shkëlzeni është vēllai i Ardi Velaj një prej viktimave të ngjarjes së ndodhur në 7 prill të vitit 2015, kur pas një sherri në kazino mbetën të vrarë shtetasit Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, e njohur ndryshe edhe si “Masakra e Çoles.

Policia arrestoi atëherë si autorë të masakrës Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj. Gjatë seancave të gjata, u dënua me burgim të përjetshëm Aleksandër Llanaj, ndërsa Ani Begaj dhe Bertil Aliaj u dënuan me nga 35 vjet burg në mungesë. Ashtu siç pritej, ato vrasje ndezën një seri atentatesh për hakmarrje. Policia dyshon se një nga fiset e përfshira në ngjarje ka marrë hak ndaj Erven Hysenit, ish-pronar i një televizioni lokal në Vlorë. Ai u qëllua për vdekje më 24 maj të vitit 2017.

Plumbat e atentatit kanë vrarë edhe Roland Saliun, drejtuesi lokal i OSHEE-së. Pas 5 muajsh, hakmarrja do të vijonte në rrugën “Transballkanike”. Më 1 tetor të vitit 2017 janë plagosur Ferdinand Llanaj, së bashku me Dritan Begaj, ndërsa u plagos edhe një i mitur. Policia, në këtë rast gjeti vetëm automjetin e djegur të autorëve.

Më 14 janar të vitit 2019 ndodhi plagosja e Mikel Mehmetaj. Ai njihej për lidhje me fisin Llanaj. Sërish policia gjeti vetëm një automjet të djegur. Atentati i fundit në Vlorë, sërish sipas burimeve nga policia, dyshohet se ka lidhje me serinë e vrasjeve. Arjan Hasani dhe Orest Rexho u vranë, ndërsa miku i tyre, Armando Sulejmani, i njohur me emrin “Çipuri” u plagos rëndë. Ky i fundit u ndalua ndërsa ishte në kërkim nga policia, pasi dyshohet si një prej organizatorëve dhe pjesëmarrësve të sulmit të armatosur në tetor të vitit 2017, ku mbetën të plagosur Ferdinand Llanaj, djali i tij i mitur, dhe i afërmi i tij Dritan Begaj. Por “Çipurin”, që s’e gjeti dot policia, e gjetën kundërshtarët e tij.

Njoftimi i plotë i policisë:

Vlorë/Informacion paraprak.

Rreth orës 23:55, në lagjen “24 Maji”, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi Sh. V., rreth 35 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Vlorë si pasojë e plagëve të marra.

Gjatë krehjes së zonës, në afërsi të fshatit Risili, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur , i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes.

Vijon krehja e zonës nga shërbimet e DVP Vlorë, për kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

FOTO GALERI
1/10

Ardi Velaj, vëllai i Shkëlzen Velaj që u vra në atentat

Top Channel