Vrasjet politike, ja pse u zvarriten hetimet, Zeqiraj tregon se çfarë kanë bërë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa në 2015

Ditëve të fundit, janë riaktualizuar çështja e vrasjeve të pas luftës.

Ditë më parë u përkujtua edhe veprimtari i shquar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njërit prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të gazetës “Bota sot”, Xhemail Mustafa.

Mustafa u vra në hyrje të banesës së tij, kur po kthehej nga puna.

Që nga dita kur u vra, u aludua shumë për vrasjen e tij, se kush ishin dy personat që e qëlluan atë dhe kush e porositi këtë vrasje, por asnjëherë nuk u zbulua.

Xhemail Mustafa u vra më 23 nëntor 2000.

Publicisti Idriz Zeqiraj në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka treguar se rasti i vrasjes së Mustafës është hetuar nga UNMIK.

“Çuditërisht, edhe pse çështja e Xhemail Mustafës, është hetuar nga UNMIK-u, disa të dhëna kanë rrjedhur, qëllimshëm, apo pa dashje, megjithatë ende nuk ka arrestime! Padyshim, vrasjet politike, në Kosovë, janë “një e fshehtë publike”, sepse ato janë masive, me pjesëmarrjen e shumë atentatorëve, por, kanë pasur një komandë, me një qëllim të caktuar. Sa herë që është rrezikuar zbulimi, porositësit, i kanë eliminuar fizikisht ekzekutorët, madje, me lidhje zinxhirore të dytë dhe të tretë”, ka thënë ai.
Image
Idriz Zeqiraj
Foto galeri

Gjithashtu, Zeqiraj i ka numëruar katër arsyeje se pse janë zvarritur hetimet për vrasjet politike.

Sipas tij, arysejet se pse janë zvarritur këto hetime janë mungesa e guximit të Prokurorisë dhe i Gjykatave, frika e UNMIK-ut dhe EULEX-it për destabilizim, kërcënimi me jetë ndaj kuadrove ndërkombëtare dhe korrupsioni.

“Mendoj se janë 4 (katër) arsye, që kanë zvarritur hetimin dhe zbulimin e vrasjeve politike:

1) Guximi i Prokurorisë dhe i Gjykatave ka munguar, sepse drejtësia është kapur me kohë nga komandantët dhe SHIK-u i tyre. Prokurorët dhe gjykatësit drejtues i ka emëruar pushteti, i cili i mbronte me anë të SHIK-ut të tij. Kjo dëshmohet edhe sot, kur Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, refuzojnë të bashkëpunojnë me Qeverinë Kurti, me justifikimin se “institucionet e drejtësisë janë të pavarura dhe ndërhyrja e qeverisë, përben shkelje të Kushtetutës”. Atëherë, kush ta bëjë Vettingun? Kush t`i largojë kapësit e drejtësisë, për t`i zëvendësuar me prokurorë dhe gjyqëtarë të pa kapur, të pavarur, të pa shantazhuar, me guximin e duhur dhe me integritet profesional?!

2) Administrata e UNMIK-ut dhe EULEX-it, edhe pse posedojnë fakte të mjaftueshme, për t`i zinxhirosur kriminnelët, nuk provuan ta bëjnë këtë. Disa janë frikësuar për destabilizimin e rendit, duke e njohur forcën ekonomike, nga grabitja e pasurive të Kosovës; haraçit masiv dhe bandat aktive, të ashtuquajtura “krahu i luftës!”

3) Disa kuadro kyç ndërkombëtarë, janë kërcënuar me jetë. Dhe, këtë e kanë dëshmuar vetë ata, kur janë larguar nga Kosova. Njëri syrësh rrëfen: “Isha duke pirë kafe, në një lokal. Një i ri kërkoi të ulej në tavolinën time dhe unë aprovova. Ai filloi bisedën në gjuhën time:

“- Ju keni lëndën time penale në trajtim. Ose mbylle, ose…”, dhe nxori revolën e mbështjellë me faculetë!

“- Kjo revole është e pa zëshme, unë të vras dhe iku pa asnjë problem!”

4) Disa prokurorë dhe gjykatës, SHIK-u i ka korruptuar, natyrisht, me shuma të majmë. Edhe ndonjë dënim që bënë, për shembull, për disa vrasje faktike, banda është dënuar me 2 deri 5 vjet burg dhe janë liruar në gjysmë të vuajtjes të dënimit!”, ka shpjeguar ai.

Gjithashtu, Zeqiraj e ka përmendur edhe deklaratën e kryeministrit Kurti. Po ashtu, ai ka treguar se çfarë kanë bërë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa në 2015.

“Rrjedhimisht, Kosova, populli i saj janë në hall nga kriminelët. Ata vrasin, vjedhin, grabisin në shtëpira, markete, dyqane, banka, në rrugë, gjatë transportimit të parave … dhe, hetimet vazhdojnë! Kriminelët dhe hajnat nuk janë vetëm, ata ndihmohen nga zyrtarë e pushtetarë, informohen edhe kur paratë bartën nga një vend, në tjetrin. Edhe kur kapen, ose dënohen simbolikisht, ose zvarriten hetimet dhe gjyqet, deri në parashkrimin e lëndëve penale!!!

Edhe kryeministri Kurti zhgënjeu: “Do t`i gjykoja për korrupsion, komandantët e Hagës”, pa përmendur krimet vrastare. Ndoca tutorë të tij, kanë aprovuar vrasjet politike. Dhe, kjo përbën problem të madh, nëse kryeministri i sotëm apo ai i nesërm, i heshtin krimet. Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, qysh në vitin 2015, i kanë shpallur të përmbushura të gjitha kushtet e BE-së, për liberalizimin e vizave, qoftë edhe krimin e organizuar vrastar, siç janë vrasjet politike dhe korrupsionin, thënë më qartë, hajninë zyrtare. Ndërkohë që mijëra dosje penale janë të stivosura, brenda të cilave gjumon krimi dhe kriminelët të pa shqetësuar, të amnistuar! Ndryshe mendon Profesor Mazllum Baraliu: “Kriminelë janë edhe ata që heshtin për krimet”.”, ka përfunduar Zeqiraj për “Bota sot”.