Vrasja e 116 civilëve në Studime, Kurti: Asnjë i dënuar për këtë masakër – vetëm heshtje

Kryeministri, Albin Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimore për masakrën në Studime, ku u vranë 116 civilë shqiptarë, përfshirë edhe fëmijë e gra.

Masakra ka ndodhur prej orës 20 deri në 21 të mbrëmjes të 2 majit 1999.

“Përafërsisht një orë e gjysmë tmerr që shkaktoi humbje të pakthyeshme, vuajtje të pashlyeshme dhe dëm të pariparueshëm jo vetëm te familjarët, por te i gjithë populli”, tha Kurti, në akademinë përkujtimore të organizuar në 23- vjetorin e masakrës në Studime.

Kurti theksoi se njëri prej dëshmitarëve të masakrës ka treguar që ushtarakët serbë kanë tentuar të kthehen për t’i marrë kufomat, por falë UÇK-së nuk kanë mundur. Ai tregon sesi ai bashkë me fshatarët i kanë varrosur për tre ditë rresht.

“Përtej tmerrit të vrasjeve, tentimi për largim të trupave dhe fshehjes së këtij krimi makabër – e bën këtë masakër edhe më të rëndë”, tha kryeministri Kurti, teksa shtoi se, ajo që rëndon edhe më tepër, është që sot, 23 vite pas luftës, ende nuk ka asnjë vendim gjykate që dënon dikënd për këtë masakër.

“Asnjë hetim që ka prodhuar rezultat nga Prokuroria Speciale. Veç heshtje”, u shpreh kryeministri Kurti.

Në anën tjetër, vazhdoi ai, luftëtarë të UÇK-së mbrojtëse, janë arrestuar, burgosur e dënuar dikur nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, EULEX-i e tash po mbahen në burg nga Gjykata Speciale.

Kryeministri Kurti bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial ku janë të varrosur viktimat e masakrës në Studime.