Vodhi dhe rrahu dy shtetas, arrestohet polici në Shkodër

Nënkomisari i policisë SH. GJ., 55 vjeç, me detyrë Specialist Rendi në Komisariatin e Policisë Shkodër është pezulluar nga detyra e më tej është arrestuar me akuzën e shpërdorimi të detyrës, vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën dhe kanosje.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bëri me dije se në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Shkodër, në saj të një pune të përbashkët hetimore në funksion të procedimit penal regjistruar më datë 31 maj, ka finalizuar me sukses dokumentimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të punonjësit të policisë.

“Ndaj këtij punonjësi, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Shkodër ka nxjerrë urdhër ndalimi për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Kanosje”, në dëm të shtetasve me iniciale B. U. dhe A. B. Ky rast është publikuar në media më datë 01.06.2023”, thuhet në njoftimin e AMP.