VMRO: Kovaçevski është i përfshirë në biznese me panele fotovoltaike, në vlerë të 26 milionë eurove

Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE ja sot akuzoi kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe kumbarin e tij Goranço Paunov së janë të përfshirë në biznese në vlerë të 26 milionë eurove, përcjell TV21. Lefkov tha se këto përfitime janë bërë përmes kompanisë Pikcell dhe KMGEOL-KVAZAR.

“Vetëm nga tenderë të shtetit në periudhën e disa viteve të kaluara këto kompani kanë arkuar 1.8 milionë euro. Në vitin 2021, kur Kovaçevski ishte zv/ministër i Financave, KMGEOL-KVAZAR ka nënshkruar marrëveshje me EVN-në, në të cikën tani Kovaçevski si kryeministër ka pronësi mandatare përmes pjesës shtetërore në EVN. Marrëveshje për zbatimin e punëve dhe dërgimin e paneleve fotovoltaike në vlerë të mbi dy milionë eurove”, tha mes tjerash Lefkov.

Nga VMRO-DPMNE thonë se afera “Matësi” ka marrë përmasa të dhjetëra miliona eurove pasi Pikcell Group, kompani e krijuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, në të cilën tash kryeministri nuk bën pjesë, paralajmëroi se në bashkëpunim me një kompani bullgare do të investojnë në ndërtimin e fabrikës për prodhim të paneleve fotovoltaike në zonën industriale në Tetovë, në vlerë të 54 milionë eurove.

“Investimi i Pikcell Group duhet të jetë 21,6 milionë euro, sipas përqindjes së investimit, me këtë Koveçevski si kryeministër do t’i nënshkruajë marrëveshje për ndihmë shtetërore kumbarit Goranço Paunov si drejtor ekzekutiv i kompanisë, ku 40 për qind e pronës është e Pikcell Group, e themeluar bashkë me Kovaçevskin”, tha Lefkov./tv21.tv