Hoti: Qeveria t’i ulë tatimet, po zvogëlohet qarkullimi në ekonomi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është duke ulur tatimet për qytetarët e vendit.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë një krahasim me Gjermaninë, në të cilin ka treguar se ky shtet ka vendosur të ulë tatimin në vlerën e shtuar në gaz dhe nxehje nga 19 përqind në shtatë përqind, duke filluar nga 1 tetor 2022 deri në prill 2024.

“Në rastin e Kosovës, janë tri veprime që e zbusin krizën, por që po mungojnë nga muaji mars. Indeksimi i pagave, subvencioneve në bujqësi, pensioneve dhe ndihmave sociale me normën e inflacionit”.

“Rritja e pagës minimale në sektorin privat, ulja e TVSH nga 18% në 8% për naftë dhe për disa produkte ushqimore që ende janë me 18% TVSH, si dhe pezullimi i përkohshëm i akcizës në naftë”,ka shkruar Hoti.

Hoti ka thënë se mosulja e tatimeve po e zvogëlon qarkullimin në ekonomi.

“Sikur të ishin futur në ekonomi qindra miliona euro përmes projekteve kapitale, krahas uljes së tatimeve, do të rritej kërkesa agregate dhe do të parandalohej thellimi i krizës”.

“Të gjitha këto masa nuk paraqesin problem për deficitin buxhetor, pasi bilanci bankar i Qeverisë është rekord i lartë. Këto veprime mund të merren menjëherë dhe jam i sigurt se e kanë mbështetjen e të gjitha palëve”, ka thënë Hoti, transmeton KlanKosova.tv.