Përplasja për qendrat e të dhënave kthehet në betejë politike: opozita akuzohet se po pengon zhvillimin teknologjik dhe po mban qëndrim të njëjtë me fushatat pro-kineze në SHBA
Përplasja politike mes pushtetit dhe opozitës në Maqedoninë e Veriut po zhvendoset edhe në fushën e teknologjisë. VMRO-DPMNE e ka ashpërsuar retorikën ndaj SDSM-së dhe liderit të saj, Venko Filipçe, duke i akuzuar se me kundërshtimin ndaj ndërtimit të qendrave të të dhënave po përdorin të njëjtat argumente që, sipas kësaj partie, përdoren nga “botët kineze” në rrjetet sociale në SHBA.
Në qendër të përplasjes janë qendrat e të dhënave, inteligjenca artificiale dhe zhvillimi i industrisë së IT-së.
VMRO-DPMNE pretendon se SDSM-ja po përpiqet të krijojë frikë te qytetarët duke paralajmëruar rritje të konsumit të energjisë elektrike, shtrenjtim të energjisë dhe rrezikim të burimeve të ujit të pijshëm në rast të ndërtimit të qendrave të të dhënave.
“Cila rastësi! Të njëjtat teza, sipas raportimeve të mediave amerikane, përdoren nga botët kineze në rrjetet sociale në SHBA, me qëllim që amerikanët të kthehen kundër ndërtimit të qendrave të të dhënave dhe sistemeve të inteligjencës artificiale”, deklaron VMRO-DPMNE.
“Pro-perëndimore vetëm në deklarata”
Nga partia në pushtet sulmi nuk ndalet vetëm te politikat ekonomike dhe teknologjike të opozitës. VMRO-DPMNE e vendos çështjen në një kornizë gjeopolitike, duke akuzuar SDSM-në se, pavarësisht deklarimeve pro-perëndimore, në praktikë po mban qëndrime që përputhen me interesat e Kinës.
VMRO-DPMNE përdor edhe një gjuhë veçanërisht të ashpër ndaj Filipçes dhe partisë së tij:
“Ne nuk kemi nevojë për botë kineze. Për këtë e kemi ‘llumin’ e SDSM-së, në krye me Venko Filipçen, të cilët janë në të njëjtën linjë me Kinën, kundër partnerit tonë strategjik, SHBA-së, dhe kundër zhvillimit të shtetit tonë.”
Beteja për teknologjinë bëhet betejë për orientimin e shtetit
Sipas VMRO-DPMNE-së, aktiviteti i pretenduar i llogarive të lidhura me Kinën në rrjetet sociale amerikane nuk është i rastësishëm. Partia argumenton se Pekini e sheh zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe qendrave të të dhënave në SHBA si pjesë të konkurrencës së drejtpërdrejtë teknologjike me Kinën.
Pikërisht për këtë arsye, sipas tyre, çdo përpjekje për të frenuar zhvillimin e këtyre sektorëve në SHBA i shërben interesave të konkurrencës kineze.
Kështu, ajo që në fillim dukej si debat për energjinë, ujin dhe infrastrukturën, po shndërrohet në një përplasje shumë më të madhe politike: SHBA apo Kina, zhvillim teknologjik apo bllokim i investimeve, dhe deklarata pro-perëndimore apo orientim real politik.
Dhe në këtë betejë, VMRO-DPMNE ka zgjedhur ta vendosë Venko Filipçen dhe SDSM-në në anën që, sipas saj, i leverdis Pekinit dhe dëmton interesat strategjike të SHBA-së.





