VLEN uron 2 Gushtin: Të ndërtojmë një shtet të drejtë, të barabartë dhe me perspektivë evropiane

VLEN ka uruar qytetarët e Maqedonisë së Veriut me rastin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës, duke theksuar rëndësinë historike të kësaj date dhe vlerat mbi të cilat, sipas tyre, është ndërtuar shteti.

Në mesazhin e urimit, VLEN vlerëson se 2 Gushti kujton përpjekjet historike për liri, barazi dhe drejtësi, të cilat përbëjnë bazën e Republikës dhe karakterit të saj multietnik.

Sipas koalicionit, kjo festë është gjithashtu një mundësi për të reflektuar mbi rrugëtimin e përbashkët të shtetit dhe shoqërisë, si dhe për të forcuar mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe përkushtimin ndaj interesit të përgjithshëm, pavarësisht dallimeve etnike, fetare apo politike.

VLEN thekson se është përgjegjësi e të gjithë qytetarëve që këto vlera të ruhen dhe të avancohen, me synimin për ndërtimin e një shteti modern, të drejtë dhe të barabartë, ku çdo qytetar ndihet i respektuar dhe pjesë e së ardhmes së përbashkët.

Në fund të urimit, koalicioni shpreh bindjen se vetëm përmes këtyre parimeve vendi mund të ecë me hapa të sigurt drejt integrimit në familjen evropiane. përcjell Zhurnal.mk .