“Çfarë Maqedonie do të ndërtojmë, të tillë do ta kemi” është citati që përsëritet çdo 2 Gusht. Por a pyet dikush vërtet se çfarë Maqedonie duan të ndërtojnë qytetarët?
Tridhjetë vitet e fundit dëshmojnë të kundërtën. Maqedonia nuk është ndërtuar sipas vullnetit të qytetarëve, por sipas interesave të elitave politike, edhe pse herë pas here janë shfaqur pretendime se do të ndërtohej ndryshe.
Sikur kjo thënie të ishte moto e vërtetë e politikëbërjes, sot nuk do të ekzistonin politika që synojnë nënshtrimin e rreth 30% të qytetarëve shqiptarë. Nuk do të kishte përpjekje për ta penguar zbatimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare dhe për të gjetur mekanizma për ta zbehur apo anashkaluar atë. Nuk do të kishte tendenca që administrata publike të mbushej pothuajse vetëm me maqedonas, duke u kërkuar vazhdimisht mënyra për t’iu shmangur detyrimeve kushtetuese për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Po të ndërtohej shteti sipas nevojave dhe vullnetit të qytetarëve, sot Maqedonia me shumë gjasë do të ishte pjesë e Bashkimit Evropian, me standard më të lartë jetese, institucione më funksionale dhe mirëqenie më të madhe për të gjithë.
Fatkeqësisht, realiteti është tjetër: nuk po ndërtohet shteti që e duan qytetarët, por ai që e projektojnë elitat politike maqedonase, shpesh në kurriz të shqiptarëve.
Shqiptarët, gjatë gjithë kësaj periudhe, kanë treguar mirëkuptim dhe kanë kontribuar për shtetin e përbashkët. Në anën tjetër, mungojnë përpjekjet serioze për t’i kuptuar ata si të barabartë. Përkundrazi, vazhdon narrativa që i paraqet shqiptarët si kërcënim për shtetin.
Përderisa kjo qasje nuk ndryshon, motoja e 2 Gushtit do të tingëllojë më shumë kështu:
“Ne e ndërtojmë shtetin sipas dëshirës sonë, ju vetëm kontribuoni për të.”
Maqedoni Maqedonia që u synua me “Ilindenin” dhe Maqedonia që u ndërtua!





