Vjosa Ormani flet pas arritjes së marrëveshjes me LVV-në, nuk përmend postin e kryekuvendares

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, sot kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Kësaj marrëveshje iu gëzua edhe Vjosa Osmani, e cila ka qenë kandidate për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit.

Osmani, që gjatë ditës së sotme u raportua që do të ketë postin e kryetares së Kuvendit, përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social nuk ka përmendur as edhe një fjalë të vetme për këtë post, shkruan lajmi.net.

Po ashtu, gjatë ditës u raportua që Osmani ka kundërshtuar këtë post dhe ka kërkuar që të jetë në krye të Minsitrisë së Punëve të Brendshme si dhe të jetë zëvendëskryeministre, por as për këto gjëra nuk është deklaruar ajo.

Përmes këtij postimi, Osmani ka shkruar se jo gjithmonë gjërat shkojnë ashtu siç i parashikon.

Postimi i plotë i Osmanit pa ndërhyrje:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Krijimi i institucioneve asnjëherë nuk ka qenë një punë e lehtë dhe një proces i thjeshtë.

Kjo komplikohet edhe më tepër kur krijimi i institucioneve nënkupton edhe ndryshim të epokave.

Që nga fillimi jam angazhuar pa asnjë interes personal për të bërë realitet koalicionin LDK – LVV, për një arsye shumë të thjeshtë: sepse ky ishte vullnet qytetar.

Ky ka qënë edhe obligim të cilin e kam marrë prej mbi 200 mijë votave që i mori LDK në zgjedhjet e fundit.

Kjo ishte një porosi e qartë për mua dhe për partinë që të ndryshojmë vendin.

Marrëveshja që është nënshkruar sot në mes të kryetarit Mustafa dhe kryetarit të LVV’së Kurti ishte një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e vendit. Ata ka muaj që po e pritnin një marrëveshje të tillë.

Ngjarjet që rrjedhin jo gjithmonë janë pikërisht sic i kemi paramenduar.

Por, sido që të jëtë, asnjë lindje nuk është e lehtë. Këtë e dimë më së miri ne që jemi nëna. Nuk është e lehtë as lindja e ndryshimit.

Rrugës do të hasim në vështirësi, me të cilat duhet të merremi, kundër të cilave duhet të luftojmë. Sa më shumë që do të luftojmë ne aq më shumë do të hasim në rezistencë. Mirëpo rrugë tjetër nuk ka. Deri në fitore.

Qytetarët kërkuan dhe përcaktuan bashkimin tonë. Dhe si çdoherë, na treguan e trasuan rrugën e drejtë. 6 tetori, për mua, ishte dhe mbetet vullnet që nuk shkelet; me asnjë kusht e asnjë çmim. Shumë mund e përpjekje u bënë për të na ndalur e perqarë.

Por shumë më i madh ishte vullneti ynë për të jetësuar kërkesën për ndryshim.

Dhe tani, ua kemi borxh qytetarëve, e të gjithë atyre që nuk hoqën dorë nga besimi në ne, që fjalën e dhënë ta jetësojmë deri në fund. Nesër do t’i themelojmë institucionet e reja.

Do t’i marrim përgjegjësitë e reja. Nuk ka asgjë që na ndalë.