Viti i ri shkollor me libra të vjetër dhe të dëmtuar

Viti shkollorë 2020/2021 përveç problemeve të reja për shkak të pandemisë, mbart edhe të vjetrat. Mungesa e librave, gjendja e tyre apo edhe përmbajtja, tashmë disa vite nuk kanë zgjidhje. Zinka Ganiq dhe vajza e saj sot kishin ardhur të dorëzonin librat e klasës së tretë dhe të merrnin ato të klasës së katërt. Disa nga tekstet ishin në gjendje më të mirë, por të tjerat hezitoje t’i shfletoje sepse u shpërndaheshin faqet.

Librat që shfrytëzohen më shumë, në mesin e të cilave Gjuhë Maqedonase dhe Matematikë, ja si janë. Matematikë dhe Shkenca Natyrore marrim të reja çdo vit. Ndërsa Gjuha Maqedonase dhe të tjerat janë që përdoren tashmë nga disa gjenerata”.
-A kontrolluat nëse i kanë të gjitha faqet?
“Besoni që është proces i gjatë, me atë jemi marrë gjatë gjithë mëngjesit. Por mbaruam punë – u shpreh Zinka Ganiq, prind.

Mungesa e disa teksteve shkollore vazhdon të mbetet sfidë. Në vitin 2018, ish-ministri Arbër Ademi, informoi se librat do të jenë në shitje për të gjitha ata që duan t’i zëvendësojnë librat e vjetër dhe atë me çmimin e njëjtë me të cilën i blen Ministria, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Që tani e tutje Shtëpitë botuese kanë të drejtë dhe për detyrë që të mundësojnë qasje të lirë të teksteve shkollore në treg, duhet të ofrojnë dhe duhet ta bëjnë këtë për të gjithë ata që kanë nevojë të blejnë tekste shkollore për arsye të ndryshme – tha Arbër Ademi, ish ministër i Arsimit.

Por nga shërbimi pedagogjik në atë kohë theksuan se kjo varet nga vullneti i pronarëve të librarive. Disa tekste shkollore veçanërisht për nxënësit nga klasa e gjashtë si: gjeografia, historia apo gjuhë shqipe, edhe këtë vit mungojnë nëpër librari. Shumë nxënës ndër vite zgjidhjen e gjejnë tek fotokopjet. Ministrja e Arsimit Mila Carvoska, sot tha se procesi për furnizim me libra rrjedh sipas marrëveshjeve.

Gjithsesi se duhet të shihet mundësia për konkurrencë dhe cilësinë e teksteve shkollore në vendin tonë. Ka shumë vërejtje si nga prindërit, ashtu edhe nga ekspertët, se në një pjesë të librave ka informacione të pasakta, ka edhe stereotipa. Kështu që, sigurisht me zgjidhjen e kësaj çështje do të merremi si ministri – deklaroi Mila Carvoska, Ministre e Arsimit.

Në disa nga tekstet shkollore ndër vite janë hasur përmbajte që shqiptarët i përshkruanin si maqedonas të islamizuar dhe më pas të shqiptarizuar, gjë që fyen dhe shtrembëron prejardhjen, historinë dhe identitetin e shqiptarëve. Këto informacione por edhe shumë përmbajtje të tjera skandaloze shkaktuan reagime të shumta në opinion.