Prokuroria Speciale arreston Salih Mustafën

Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, njoftoi të enjten se ka arrestuar Salih Mustafën.

Në njoftim thuhet se arrestimi është bërë në Kosovë, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, pas konfirmimit të aktakuzës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe kjo është aktakuza e parë që konfirmohet.

Në komunikatën e Zyrës së Prokurorit nuk është sqaruar nëse aktakuza ndaj Mustafës është ajo, e cila është paraqitur në shkurt, sikundër që nuk janë dhënë detaje as për përmbajtjen që ka aktakuza.

“Mustafa po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur”, thuhet në njoftim.

Prokuroria e Specializuar, institucion i Kosovës me seli në Hagë, heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë.

Salih Mustafa është njëri prej themeluesve të UÇK-së në zonën Llapit, ka deklaruar per Radion Evropa e Lirë kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.

Mustafa, në kohën e fundit, ka qenë zyrtar i lartë në Drejtorinë e Inteligjencës dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Fillimisht, ai ka shërbyer si shef i Departamentit Informativ të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pastaj edhe si këshilltar i ish-kryeministrit Agim Çeku.