“Virusi”, higjiena në shkolla lë për të dëshiruar, nxënësit nga shtëpia i marrin mjetet higjienike

Në kohën kur gripi sezonal ka marr hov të madh, ndërsa e gjithë bota është në alarm nga përhapja e shpejtë e virusit Korona, nëpër shkollat e vendit mungon higjiena. Thuajse në të gjitha shkollat ka mungesë të sapunëve dhe mjeteve të tjera për dezinfektim. Ndërkaq pikërisht larja e shpeshtë e duarve është rekomandimi kryesor i autoriteteve shëndetësore për parandalimin e infeksioneve.

Nxënësit ankohen se asnjëherë nuk gjejnë sapunë, shampo, fasuleta, apo dezinfektues nëpër hapësirat e banjave, gjë që rrezikon shëndetin e tyre.

“Zakonisht i marrim prej në shtëpi mjetet higjienike sepse në tualetet e shkollës ka vetëm ujë, as letra nuk ka as sapun as shampo”.

“Në tualet ka shumë erë të keqe, as sapun nuk ka as shampo as fasulet për të fshirë duart”.

“Nuk jam i kënaqur prej gjendjes higjienike nëpër banjo. Pihet duhan, dhe tualetet janë në gjendje katastrofale. Kemi kërkuar prej kujdestarëve të klasës por nuk na kanë dhënë përgjigje. Si e mirëmbani higjienën? Marrim prej në shtëpi, fasuleta, shampo etj”.

“WC duhet të jenë më të pastra, duhet të ketë lecka ose fasuleta për duart. Ndonjëherë ka sapunë por janë të ngjitura, nuk i ndërrojnë”.

“Nëpër WC nuk ka aspak pastërti, kur të hysh është krejt e pa pastër. Ka baktere, çka nuk pritet. Shampona nuk ka, duhet të investohet nëpër banjo, ka fëmijë më të vegjël nuk mund të pastrohen, duhet shampo të kemi”.

Ndryshe nga nxënësit, drejtuesit e shkollave thonë se po mirëmbajnë higjienën sipas protokollit të ministrisë. Thonë se në mënyrë të rregullt furnizohen me sapunë e mjete të tjera, duke fajësuar nxënësit se përdorin në mënyrë të pa kontrolluar dhe shpesh herë pa nevojë pajisjet higjienike.

Të gjitha aktivitetet që duhet t’i ndërmarrim i marrim, nuk kemi kurrfarë problemi me financat për pajisjen e sapunëve, shamponëve. Por dhe fëmijët duhet të kujdesen sepse ata tualete vetë fëmijët i përdorin, nëse ato i dëmtojnë, i thyejnë pajisjet, edhe ne nuk kemi mundësi që çdo ditë t’i blejmë të reja – u shpreh Enis Memeti, Drejtor i Sh.f “Petar Zdravkovski Penko” Butel.

Ne si shkollë kemi ndërmarrë të gjitha masat higjienike, si çdoherë me fillimin e gjysmë vjetorit kemi bërë dezinfektimin e shkollës, kështu që masat janë të përditshme për mirëmbajtjen e tualeteve, korridoreve, klasave. Mjetet që na i lëshon komuna janë të mjaftueshme, për fat të mirë jemi në fazën e rinovimit të tualeteve, ku katin e poshtëm vetëm se e kemi gati”, deklaroi Teuta Idrizi, Drejtore e Sh.f “ Liria” Çair.

Inspektorati shtetëror Sanitar Shëndetësor tha se në fillim të gjysmë vjetorit të dytë shkollor është bërë inspektimi i fundit nëpër shkolla, duke mos treguar nëse ndonjëra shkollë është sanksionuar për mos respektimin e masave higjienike. Nga ky Inspektorat për ALSAT thonë se deri tek ata, Komisioni për sëmundje ngjitëse nuk ka dërguar njoftim për ndërmarrjen e masave të jashtëzakonshme si pasojë e virusit Korona, prandaj dhe pos kontrolleve protokollare, nëpër shkolla nuk janë ndërmarrë masa të posaçme./Alsat