Vijon gjyqi për tragjedinë në Llaskarcë

Drejtësi e ngadalshme dhe seanca të rralla. Një pjesë e familjarëve të viktimave dhe të lënduarve në tragjedinë e Ll;askarcës, nuk janë të kënaqur nga dinamika e mbajtjes së procesit gjyqësor. Sot reaguan zëshëm në sallë kur gjykatësit seancën e radhës e caktuan për më 2 korrik, pa caktuar edhe një termin këtë muaj. Nervozizëm shtesë tek familjarët shkaktoi fakti që, i akuzuari i gjashtë, vozitësi i autobusit Manoil Trifunovski në sallë nga arresti shtëpiak u soll me vonesë prej 1 orë e gjysmë.

“Nuk e dimë se çfarë po ndodh, po shkon shumë ngadalë. Ja, seanca tjetër është caktuar pas gati një muaji. Çdo herë kanë përparësi lëndët e tjera. Nuk e di. Ky aksident mori 16 jetë, një tragjedi e madhe, plus të tjerët që u lënduan”.

Ndaj vendimit të gjykatësve që të mos japin datë deri në fund të qershorit, reagoi edhe prokurori Darko Jakimovski. Por gjykatësit u përgjigjën se faji nuk është te gjykata, ndërsa procesi është ndërprerë për shkak të koronavirusi. Sot dëshmoi këshilltari teknik i mbrojtjes, i cili prezantoi ekspertizën e tij për aksidentin, për të cilin tha se nuk ishte si pasojë e lëshimeve gjatë kontrollit teknik dhe parregullsive të autobusit. Nga ana tjetër, ekspertiza e Fakultetit të makinerisë tregoi se defekti i frenave të autobusit të ndërmarrjes “Durmo Tours” dhe shpejtësia janë shkaku i aksidentit më 13 shkurt të vitit të kaluar, në të cilin vdiqën 16 persona ndërsa 38 tjerë mbetën të lënduar./Alsat