Vetëm 30% e territorit të vendit ka kanalizime

Territori i Maqedonisë është i mbuluar me më pak se 30% rrjet kanalizimesh. Kjo do të thotë që mesatarisht pothuajse çdo e treta familje është e lidhur me kanalizimin, pjesa tjetër ka gropa septike ose tualete polake. Në vitin 2017, në nivel nacional, është ndërtuar vetëm 17% e rrjetit të kanalizimeve, pohojnë nga Qeveria. Zv/kryeministri Fatmir Bytyqi u mburr se kjo qeveri ka ndërtuar më shumë rrjet kanalizimesh sesa është ndërtuar në 25 vitet e fundit.

“Kjo do të thotë se në katër vitet e fundit, është bërë rreth 14 përqind më shumë zgjerim i rrjetit të kanalizimeve në të gjithë vendin. Kjo do të thotë se edhe më tej duhet të punohet edhe në katër vitet e ardhshme”- deklaroi Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër i ekonomisë.

Nëse mbahet ky ritëm i ndërtimit të rrjeteve të kanalizimeve dhe ujësjellësit, do të duhen dekada që të gjithë qytetarët në shtëpitë e tyre të kenë kushte normale të jetesës. Sot u miratuan dhe nënshkruan projektet e fundit në nivel lokal për ndërtimin e projekteve të kanalizimeve dhe furnizimit me ujë nga paratë që janë të ridestinuara për ndërtimin e Kargo aeroportit. Për zbatim më të mirë dhe më të shpejtë, është paraparë që pagesa ndaj kontraktorëve të bëhen përmes TAV Maqedonisë, ndërsa kontrollin e projekteve ta bëjë qeveria, e mbikëqyrja do të jetë nga një shtëpi e pavarur e zgjedhur nga komuna. Në këtë mënyrë paratë me siguri do të përfundojnë për projektet e paralajmëruara, jo për shpenzime joproduktive.

“Nga këto 35 projekte, 34 janë projekte të komunave, ndërsa njëri është projekt për investime në dy aeroportet e Maqedonisë në vlerë prej 14.7 milionë euro. Ndër projektet e komunave në këtë paketë të tretë, ka rrugë lokale, furnizim me ujë, kanalizime dhe lloje të tjera të punëve ndërtimore për projekte të rëndësishme shoqërore që do të krijojnë vlerë më të madhe për njerëzit dhe për të gjithë shoqërinë”- pohoi Metin Batak – Drejtor i Përgjithshëm i TAV Maqedoni

Jemi dëshmitarë se një pjesë e mirë e autoriteteve lokale në vitet e kaluara, në vend që të siguronin kushtet themelore për jetesë për qytetarët, shpenzuan buxhetet për luks dhe prokurim të automjeteve të reja, mobiljeve dhe shpenzime të tjera joproduktive.