Vdes gazetarja e njohur shqiptare

Ka vdekur gazetarja e kompozitorja nga Prishtina Violeta Rexhepagiqi.

Rexhepagiqi u bë e njohur me paraqitjet e saja në grupin e muzikës moderne të kohës “Vivien” rreth vitit 1984. Gjatë kësaj kohe, ajo përfaqësoi dy herë Kosovën në përzgjedhjen e përfaqësueses së Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”.

Lajmin e ka konfirmuar për Kohën edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësja në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha se e ndjera është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj.

“Sot rreth orës 09:30 policia ka marrë informatën se në rrugën “Ferid Dragaj” në Prishtinë, saktësisht në një shtëpi, gjendet një person pa shenja jete. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka hasur viktimën grua, e cila ishte pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, tha Ahmeti.

PK-ja shtoi se aktualisht njësitet policore në koordinim me Prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast.

Ajo me vite ka punuar në RTP, pastaj në RTK, ndërsa gjatë viteve të 90′ ishte korrespodente në TV Sky News.

Lajmin e ka konfirmuar edhe kolegia e saj Minire Fetahu.

Violeta ishte motra e Armend Rexhepagiqit.