Vdekja si simbolikë e jetës së amshueshme

(Nehas Sopaj Vallja e vdekjes së verdhë, trilogji, botim autorial, Kumanovë, 2020)

Agim MORINA

Këto ditë u botua trilogjia me titull VALLJA E VDEKJES SË VERDHË të autorit të njohur Nehas Sopaj.

Trilogjia më vete ngërthen tre romane brenda kopertinave të një libri për t’ia bërë me dije lexuesit se vetë koncepti klasik i trilogjisë nuk duhet kuptuar ashtu siç tradicionalisht e dimë, sepse brenda një rrëfimi mund të ketë shkrirje të zhanreve si të dojë autori dhe mund të ketë elementet e epizmit dhe të dramës. Kjo shihet në këtë vepër me ngjarje enigmatike të vitit të largët 1982 dhe që autori e ngrit në një vepër shumë interesante. Rrëfimi shtjellon një dramë tragjike të asaj kohe, duke na shpalosur një botë rrënqethëse mes realitetit dhe fantazisë, brenda të cilit formulimi sintagmatik vallja e vdekjes së verdhë, hapet me romanin e parë lirik Bukla, për të pasuar më tej me romanin e dytë Kronikë e zezë nga koha e kuqe që, siç edhe e sugjeron vetë titulli, është një ngjarje e rrëfyer tri here dhe ku ndodh “drama” e trilogjisë dhe për të përfunduar me romanin Rruga e gaforres, që është një rrëfim erotik.
Pas leximit të parë, lexuesi menjëherë konstaton se këtu ka diçka origjinale. E pra, le të më lejohet të them se vetëm sa ta lexojmë romanin e parë lirik, Bukla, do të mbetemi me konstatimin se kjo vepër me të vërtetë është shumë e veçantë, do të mbetemi të habitur dhe fare lehtë mund të ndodhë që lexuesi të humb në lojën e fjalëve të një njeriu me vështrim të veçantë rreth botës dhe mbi atë që e rrethon.
Bota e përshkruar në librin e tij nuk është e njëjtë si ajo në të cilën realisht vetëm ekziston, ajo nuk jeton, por mbytet, ngulfatet, edhepse çdo gjë është aty, fushat e gjëra dhe kumbullat e tharrta, dielli dhe hëna, sorra e vetmuar, macja dinake dhe bukla misterioze, janë bota lirike e autorit. Çdo gjë është aty, imagjinata që buron nga realiteti që vetëm poeti e sheh, e dashuron dhe e respekton më shumë, shumë më shumë se ç’e dashuron dhe respekton veten dhe të tjetërt. Është për t’u habitur sa është e natyrshme dhe sa është njerëzore vetmia që autori e ndjen tërë jetën! Vetmia e tij, vetmia e përgjithshme, vetmia e buklës e gjarpërit, e miut dhe macës, e të gjithve që në çast tragjik humbin vetminë, duke u humbur tërësisht, duke u shndërruar në fillim, në fillimin e çdonjërit, në asgjënë e kozmosit.
Nehas Sopaj shkruan për jetën se aq shumë e dashuron atë, qan dhe vuan për jetën dhe për atë që asnjëherë nuk e ka kuptuar në tharrmin e saj duke mbetur tërësisht i pakuptuar, siç edhe për të gjëthë ne përherë jeta mbetet enigmatike! Besoj se autori ndjen si poet edhe në rrëfimet e tij do të ishte i vetmuar edhe në dasëm, midis mijërave buzëqeshjeve, edhe në varrim, midis mijëra pika lotësh! Jeta për personazhin e tij (Isë Telaku) është vdekje, është synim i njeriut që ta njohë atë, tjetrin, të mbarojë frika te ai, ajo që buron nga qelizat e vetëdijes që nga lindja dhe që s’ka përfundim.
Ky roman lirik nuk ka fillim dhe fund, nuk ka rrjedhje pikërisht ashtu siç nuk ka rrjedhje as jeta! Ekzistojnë vetëm çaste të regjistruara, ndriçime në errësirë të plotë ku sundon bukla, ka eksplozione të ndjenjave, bardhësi të zbukuruara nga buzëqeshja e rastit… Ajo, tjetra, është asgjë, zbrazëtirë, kohë e humbur në pritje të mbrëmbjes, natës, ditës së re.
Libri kërkon vëmendje të veçantë gjatë leximit se çdo gjë është aty, por bukuria duhet zbuluar! Aty është dashuria dhe urrejtja, e bardha dhe e zeza, drita dhe errësira, parajsa dhe ferri, jeta dhe vdekja! Ky libër më ngjan në një tryeze përplot me fruta të zgjedhura për të ngopur çdo shpirt lirik!