Vazhdon vaksinimi në Kërçovë! Qytetarët i mbushin formularët në garazhin e Spitalit!

Vazhdon dita e dytë e vaksinimit në Kërçovë.

Qytetarët vaksinohen tek ndërtesa e vjetër e spitalit të Kërçovës, ndërsa pyetësorin qytetarët e mbushin jashtë tek garazhi. Kjo ndodh në mungesë të hapësirave dhe kushteve në spitalin e Kërçovës, për të cilat TV21 ka raportuar disa herë.

“Jemi në spitalin e Kërçovës, këtu prapa meje pacientët fillimisht mbushin formularët për tu vaksinuar, ndërsa në anën tjetër marrin edhe vaksinën”.

Në Kërçovë javën e kaluar arritën 500 vaksina AstraZeneca, ditën e premte u vaksinuan 50 persona, ndërsa sot 30 deri në mesditë.

Mjekja e cila ndjek procesin e vaksinimit tha se askush nga 50 personat e vaksinuar ditën e premte nuk ka pasur efekte anësore.

“Deri më tani nuk kemi të lajmëruar pacientë me efekte anësore, pacientët janë të kënaqur, askush nuk është ankuar për asgjë”, tha mjekja.

Mjekja bëri apel që personat të cilët janë paraqitur në sistemin Termini im për vaksinim dhe të njëjtën nuk vinë që ta marrin vaksinën t’i anulojnë terminët në kohë, që të njëjtët termine të hapen për pacientët që duan të vaksinohen.