Varianti i ri i korona virusit, Kina pezullon fluturimet me Britaninë

Kina njoftoi sot se ka pezulluar trafikun ajror me Britaninë e Madhe për shkak të variantit të ri të koronavirusit që është shfaqur në Britaninë e Madhe.

“Duke marrë parasysh praktikat e vendeve tjera, Kina ka vendosur të pezullojë fluturimet midis Kinës dhe Britanisë së Madhe për shkak të variantit të ri të virusit”, bëri të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin në një konferencë për media në Pekin, sipas të përditshmes “Global Times”.

Më herët këtë javë, Kina pezulloi strukturën e lëshimit të vizave në Londër si një masë kundër COVID-19.

Më shumë se 40 vende, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut dhe ato nga Evropa, kanë pezulluar trafikun ajror me Britaninë pas zbulimit të variantit të ri të koronavirusit në këtë vend. Disa prej tyre, përfshirë Francën, mbyllën gjithashtu kufirin e tyre tokësor.

Varianti i ri i COVID-19 raportohet se përhapet 70 për qind më shpejt.