Varianti “Delta” i koronavirusit ngrit alarmin në Kinë! Ndalet trafiku në zonat e prekura

Varianti Delta i koronavirusit ka ngritur alarmin në Kinë pasi numri i rasteve të transmetuara lokalisht ka shënuar rritje. Komisioni Kombëtar i Shëndetit i vendit tha se nga 75 infeksione të përgjithshme të koronavirusit të raportuara dielën, të paktën 53 ishin raste vendase. Shumica prej tyre, gjithsej 30, u raportuan nga provinca lindore Jiangsu, shtoi komisioni.

Të shtunën, 30 raste të tilla lokale u raportuan në gjithë Kinën, nga të cilat 19 u zbuluan në të njëjtën provincë.

Përhapja e fundit në Kinë, e cila kishte deklaruar kontroll të suksesshëm mbi përhapjen e virusit vitin e kaluar, u zbulua për herë të parë në Jiangsu muajin e kaluar dhe zyrtarët fajësuan llojin më ngjitës Delta për këtë transmetim.

Menjëherë pas shpërthimit, autoritetet lokale rritën numrin e testimeve në përpjekje për të zbuluar raste pozitive në fazën më të hershme të mundshme.

Gjithashtu, kufizime u vendosën në lëvizjen e njerëzve të rajonit, ku linjat e autobusëve në distanca të gjata dhe turne u ndaluan. Shërbimet e shpërndarjes, përfshirë ushqimin, gjithashtu janë ndalur.

Për shkak të shqetësimeve për përhapjen e virusit, Pekini sot njoftoi pezullimin e të gjitha fluturimeve, trenave dhe autobusëve nga rajonet ku janë zbuluar infeksione të reja me COVID-19, njoftoi e përditshmja kineze Global Times.

Autoritetet e Pekinit kanë urdhëruar masa të rrepta në rrugë të tjera që lejojnë hyrjen e të huajve brenda kryeqytetit.

Masa të tilla u morën pasi Pekini gjithashtu raportoi dy infeksione të reja të dielën në rrethin Haidian, duke shkaktuar testime masive.

Provinca jugore Hunan gjithashtu ka ndaluar të gjitha aktivitetet mësimore të drejtpërdrejta dhe programet e trajnimit.

Kina, vendi më i populluar në botë, aktualisht kryeson në numrin global të vaksinimeve kundër COVID-19, pasi ka administruar mbi 1,6 miliardë doza deri më sot.

Ishte në qytetin qendror Wuhan të Kinës ku rastet e para të koronavirusit u zbuluan në dhjetor 2019. Që atëherë, virusi është përhapur në gjithë globin.

Sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetit, Kina deri më tani ka raportuar gjithsej 93.005 raste të konfirmuara, përfshirë 4.636 vdekje.