Vaksinimi në SHBA po mbetet prapa, paralajmëron Biden

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u zotua se do të rrisë ritmin e vaksinimit kundër koronavirusit në SHBA, ndërsa kritikoi mënyrën se si administrata e presidentit aktual, Donald Trump, po e trajton procesin e imunizimit.

“Plani i administratës Trump për të shpërndarë vaksinat, po mbetet prapa, shumë prapa”, tha Biden në një fjalim nga shteti i tij Dellauer.

Administrata Trump ka planifikuar të sigurojë 20 milionë doza vaksinash deri në fund të vitit.

Sipas Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve, vetëm 11.4 milionë doza janë shpërndarë dhe 2.1 milionë njerëz kanë marrë dozën e parë.

“Nëse vazhdon të lëvizë sikurse tani, do të duhen vite, jo muaj, për të vaksinuar popullin amerikan”, tha Biden.
Paul Offit, drejtor i Qendrës për Vaksina në Spitalin e Fëmijëve në Filadelfia.
Lexoni edhe këtë:
Përgjigjet në pyetjet që mund t’i keni për vaksinën

Duke iu përgjigjur Bidenit, Trump tha se “u takon shteteve t’i shpërndajnë vaksinat” pasi ato dërgohen nga qeveria federale.

“Ne jo vetëm që i kemi zhvilluar vaksinat, duke investuar para për ta lëvizur procesin shpejt, por edhe i kemi çuar ato në shtete”, shkroi Trump në Twitter.

Vaksinat konsiderohen si mënyra më e mirë për t’i dhënë fund pandemisë së koronavirusit. Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë, me afro 20 milionë njerëz të infektuar dhe mbi 338,000 të vdekur.

Biden u zotua se kur administrata e tij të marrë kontrollin më 20 janar, ajo do të aktivizojë Aktin e Mbrojtjes së Prodhimit. Ky ligj i mundëson qeverisë t’i urdhërojë industritë private të përshpejtojnë prodhimin e vaksinave dhe shpërndarjen e tyre.

Më herët, Biden është zotuar se do të sigurojë 100 milionë vaksina brenda 100 ditëve të tij të para në detyrë. Për ta arritur këtë, numri i vaksinave do të duhet të rritet pesë deri në gjashtë herë – në 1 milion në ditë.

Biden pranoi se “do të duhen akoma muaj për të vaksinuar shumicën e amerikanëve”.

Presidenti i zgjedhur tashmë ka marrë dozën e parë të vaksinës.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden pas marrjes së vaksinës kundër koronavirusit, përshëndetet me një punonjëse shëndetësore.

Pandemia po intensifikohet në të gjithë SHBA-në dhe “gjërat do të përkeqësohen para se të përmirësohen”, tha Biden.

“Duhet të jemi të sinqertë – javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë shumë të vështirë, shumë të vështirë për kombin tonë. Ndoshta më të vështirët gjatë gjithë kësaj pandemie”, tha Biden.

Dy vaksina të koronavirusit – një nga kompania Moderna dhe një nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech – janë duke u shpërndarë aktualisht në SHBA, pasi ato janë miratuar nga rregullatorët shëndetësorë.

Për të maksimizuar efektin, vaksinat duhet të jepen në dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh.

Kur vetë e ka marrë dozën e parë, Biden ka thënë se administrata Trump “meriton ca pikë” për nisjen e programit të vaksinimit.