FSK e gatshme ta ndihmojë Kroacinë mike

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, i ofroi mbështetje Kroacisë pas tërmetit të fuqishëm, që goditi këtë vend më 29 dhjetor.

Në një letër dërguar kryeministrit kroat, Andrej Pllenkoviq, Hoti tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme ta ndihmojë Kroacinë, pas tërmetit që la së paku shtatë persona të vdekur.

“Si kryeministër i Kosovës, unë do të doja të ofroja mbështetjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si një forcë e shquar dhe e trajnuar mirë në misionet e kërkim-shpëtimit, e cila është e gatshme t’i ndihmojë qytetarët dhe autoritetet kroate në tejkalimin e pasojave të tërmetit’’, thuhet në letrën që Hoti i dërgoi Pllenkoviqit.

Zyra e Hotit po ashtu njoftoi se ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, kanë biseduar me homologët e tyre kroatë dhe kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar tejkalimin e pasojave të tërmetit.

Tërmeti që goditi Kroacinë të martën kishte fuqinë e 6.3 shkallëve të Richterit.

Epiqendra e tij ishte tri kilometra larg qytetit Petrinja.