Uran Ismaili viziton Kadri Veselin në Hagë: “Epopeja e UÇK-së” dhembja dhe krenaria jonë e pafundme

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, është duke qëndruar në Hagë për vizitë te ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili po mbahet në paraburgim dhe po gjykohet nga  Gjykata Speciale.

Ismaili, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Epopeja e 5, 6, 7 marsit është dhembja dhe krenaria jonë e pafundme kur Adem dhe Hamzë Jashari, me familjet e tyre, sulmeve barbare të Serbisë iu përgjigjen me armë dhe këngë, dhe një nga një dhanë jetën e tyre – për të mos u harruar kurrë”.

Ai tha se pushkët që filluan aty nuk u ndalën më në gjithë Kosovën deri në çlirimin e saj.

Postimi i plotë i Ismailit:

“Epopeja e 5, 6, 7 marsit është dhembja dhe krenaria jonë e pafundme, kur Adem dhe Hamzë Jashari, me familjet e tyre, sulmeve barbare të Serbisë iu përgjigjen me armë dhe këngë, dhe një nga një dhanë jetën e tyre – për të mos u harruar kurrë.

Pushkët që filluan aty, nuk u ndalën më në gjithë Kosovën, deri në çlirimin e saj. Kjo epope do t’i mobilizonte mijëra të rinj e të reja që t’i bashkoheshin UÇK-së, për ta ndalur gjenocidin serb dhe për t’i dhënë mundësi jetës e lirisë. 

Edhe sot, kur ndodhem në Hagë, për vizitë te ish Kryetari Kadri Veseli, një ndër bashkëluftëtarët e Adem Jasharit dhe një ndër themeluesit e UÇK-së, dhembja dhe krenaria janë të përbashkëta për ata që vazhduan në rrugën e lirisë, dhe me heroizmin e tyre e të popullit tonë Kosova është e lirë.

Nderim i përjetshëm për heronjtë tanë dhe për të gjithë të rënët e lirisë!”, ka shkruar Ismaili.