Universitetit publik “Fehmi Agani” nga Gjakova dhe ITSHKSH nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi (FOTO)

Kohëve të fundit po punohet në zgjerimin e programeve studimore, kurse si pirioritet i të ardhmes pritet të jetë përfshirja e edukimit dhe mësimit të Holokastit në kuadër të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, nënvizoi rektori Nimani, me ç’rast u kërkua nga Dr. Skender Asani mbështetje logjistike, si në aspektin menaxherial ashtu edhe në atë shkencor, që kjo problematikë të ketë një trajtim sa më profesional.

Një delegacion i Universitetit publik “Fehmi Agani” nga Gjakova në krye me dekanin – Prof. dr. Artan Nimani, dje vizitoi Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, me ç’rast u shkëmbyen shumë përvoja e njohuri, të cilat në të ardhmen pritet të shndërrohen në një agjendë të pasur mbi Memorandumin e bashkëpunimit që u nënshkrua nga të dyja palët.
Rektori Nimani e njoftoi nikoqirin e tij, Dr. Skender Asanin, drejtor i ITSHKSH, se Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë është vazhdimësi e një tradite të pasur të arsimit të lartë në këtë qytet të Dukagjinit, i cili me vite ka përgatitur kuadro të cilët po mbajnë mbi shpatulla procesin edukativ, shoqëror e ekonomik në këtë pjesë të Kosovës dhe më gjerë. Ky universitet, siç njoftoi rektori Nimani, ka tre fakultetet, disa programe studimore, dhe mbi tre mijë student, ndërkohë që profili i universitetit është i dizajnuar në bazë të kërkesës së të rinjve për t’u përfshirë në tregun e punës në Kosovë dhe jashtë saj.
Kohëve të fundit po punohet në zgjerimin e programeve studimore, kurse si pirioritet i të ardhmes pritet të jetë përfshirja e edukimit dhe mësimit të Holokastit në kuadër të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, nënvizoi rektori Nimani, me ç’rast u kërkua nga Dr. Skender Asani mbështetje logjistike, si në aspektin menaxherial ashtu edhe në atë shkencor, që kjo problematikë të ketë një trajtim sa më profesional.
Dr. Asani nga ana e tij premtoi se gjithë përvoja dhe dija e akumuluar në kuadër të ITSHKSH në Shkup do të jetë në shërbim të Universitetit publik “Fehmi Agani” nga Gjakova, duke potencuar me këtë rast se institucionet në hapësirën shqiptare duhet të tejkalojnë kornizat e ngushta protokollare, por duhet praktikisht të ndërmarrin hapa konkretë në projektimin e ideve të cilat mund të jenë pjesë integrale e kurikulave si dhe departamenteve përkatëse shkencore-hulumtuese. Ai me këtë rast iu referua edhe Departamentit për Edukimin dhe studimin e holokaustit, i cili mund të shërbejë si një hallkë lidhëse në mes të dy institucioneve në ngritjen dhe avancimin e njohurive mbi holokaustin nga ana e të rinjëve. Dr. Asani përmendi edhe një doracak mbi Mësimnxënien mbi holokaustin, i përgatitur nga ITSHKSH, i cili tash më është në qarkullim në tri gjuhë – shqip, turqisht e serbisht dhe i njëjti në të ardhmen mund të jetë një bazë e mirë për zgjerimin përvojave e njohurive edhe për studentët e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë.
ITSHKSH dhe Universitetit publik “Fehmi Agani” nga Gjakova pritet që nga viti i ardhshëm të konkretizojnë një sërë aktivitetesh e idesh, duke shkëmbyer përvojën akademike dhe atë hulumtuese- shkencore në projektimin e një bashkëpunimi sa më substancial.
Në këtë takim u tha se dyert e të dy institucioneve janë gjithmonë të hapur për shkencën dhe dijen, sepse vetëm kështu shoqëria shqiptare mund të jetë konkurruese në botën e gjerë të arritjeve dhe inovacioneve.