Universiteti i Ramiz Merkos përmendet në fushatën zgjedhore në Shqipëri, ja pse!

Kryetarja e Lëvisjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka bërë një denoncim në media, lidhur me koncesionin e inceneratorit të Tiranës.

Sipas Kryemadhit, ka patur shkelje të rënda ligjore lidhur me këtë koncesion, disa prej të cilave nga Ministria e Mjedisit, e drejtuar në atë kohë nga Lefter Koka. Herë pas here, Kryemadhi i referohej ministrsisë së Mjedisit, si “Oksfordi i Strugës”, si një ironi ndaj Lefter Kokës, që ka kryer studime të larta, në moshë të vonë, në Universitetin e Strugës, themeluar në vitin 2007.

Kryemadhi deklaroi se i gjithë ky dokumentacion do t’i dorëzohet SPAK-ut, për të nisur hetimet dhe ka kallëzuar penalisht, Lefter Kokën. Erion Veliajn dhe disa zyrtarë të tjerë.

“Skemë e pastër e një strukture kriminale, që grabit paratë e qytetarëve shqiptarë. Ne do t’i zbardhim më tutje. Por kjo është padia që unë do të dorëzoj në SPAK. Skema e pastrimit të parave, që vjen nga shumë lëvizje të tjera financiare, ju bëj me dije, se do të firmos padinë drejtuar SPAK. Eshtë e para dhe nuk do të ndalem. Jo vetëm deri në 25 prill, por edhe më pas. Një kallzim penal që unë si Monika Kryemadhi i’a drejtoj SPAK për Lefter Kokën, Erion Veliajn, Engjëll Agaci, Alqi Bllako dhe Komisionin për dhënin me koncesion të inceneratorit të Tiranës, për veprën penale shpërdorim detyre“, tha Kryemadhi.

Më poshtë disa nga deklaratat e Kryemadhit:

“Përpara pak ditësh jam vendosur në dijeni të disa fakteve shokuese për aferën korruptive të inceneratorëve, më saktë të inceneratorit të Qarkut të Tiranës.

Me përgjegjësinë për të thënë të vërtetën dhe me bindjen e palëkundur timen që LSI ka zero tolerancë ndaj çdo afere korruptive, ka zero tolerancë ndaj çdo bashkëpunimi të institucioneve shtetërore me grupet mafioze. Ka zero tolerancë ndaj çdo grabitjeje që u bëhet xhepave të shqiptarëve.

Prandaj jam sot këtu, me personin tim fizik, për të denoncuar këtë aferë, bazuar e tëra në dokumente shtetërore, me firmë dhe me vulë, me korrespondencë ligjore, haptas, qartas, sesi shkelen totalisht ligjet e shtetit shqiptar, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por më e rënda është se si tallen me shqiptarët dhe taksat e tyre, të cilët në mjerim vazhdojnë t’i paguajnë çdo ditë.

Në gjithë këtë të vërtetë, unë sot do t’ia drejtoj Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ose siç e quajmë ne në kuadrin e Reformës së re në Drejtësi, SPAK-ut, dhe shpresoj që identitetin dhe dinjitetin e këtij institucioni ta shikoj në vazhdim.

Sot është vetëm fillimi i këtij kalvari grabitjeje dhe mashtrimi tronditës që qeveria e Edi Ramës në bashkëpunim me grupe mafioze dhe të strukturuara kriminale i bëjnë jo vetëm buxhetit të shtetit, por edhe ligjit shqiptar.

Do t’ju kërkoja pak durim, çdo dokument është i faktuar dhe këtu janë prezent të gjitha materialet, të cilat e kanë kapur ‘shah mat’ Edi Ramën me qeverisjen e tij dhe të gjithë piruetat që ai ka ndërtuar në qeverisje, nuk kanë më shans të rrotullohen, por vetëm të përballen përpara drejtësisë. Durim, çdo fakt që ju do të shihni në këtë material të përgatitur nga unë është i faktuar me dokumente zyrtare, me vulë, me firmë dhe numër protokolli.

Këtu kemi në datën 23 qershor një shprehje interesi nga firma ‘Integrated Energy’, e cila paraqet pranë Ministrisë së Drejtësisë një letër interesi për ndërtimin e një landfilli të tillë dhe brenda pesë ditësh kemi një kthim nga Ministria e Mjedisit, e cila e pranon letër – ofertën dhe gjithashtu vendos në dijeni edhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn. Shumë shpejt. Për 30 vjet bëhet një aplikim për 400 milion euro, të cilat do të dalin nga xhepat e shqiptarëve.

Më datë 24 gusht të 2016-s, Ministria e Mjedisit i kërkon ATRAK-OS, Ministrisë së Energjisë dhe Bashkisë së Tiranës caktimin e përfaqësuesve të tyre, pra ngrenë menjëherë komisionin për dhënien e koncesionit.

Një angazhim shumë i shpejtë, i jashtëzakonshëm. Të mos harrojmë që ky angazhim i menjëhershëm nuk ka ndodhur asnjëherë për shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti apo për t’iu gjendur pranë të sëmurëve me COVID-19 në Shqipëri.

Në datën 1 shtator 2016 shoqëria në fjalë paraqet pranë Ministrisë së Mjedisit, me dijeni edhe Bashkinë e Tiranës, studimin e fizibilitetit. Dhe vetëm më 5 shtator Ministria e Mjedisit ngre Komisionin e dhënies me koncesion për projektin, ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit, ku në krye të komisionit vendoset zonja Valbona Ballgjini.

Më 9 shtator 2016 zhvillohet mbledhja e parë. Mos harroni që për situatën e tërmetit nuk kemi pasur asnjëherë asnjë mbledhje. Bëhet mbledhja e parë e komisionit. Ky është proces-verbali i parë ku janë pjesëtarë dy përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, Ministria e Mjedisit dhe ATRAKO.

Këtu z. Lefter Koka i ka dërguar një letër z. Arben Ahmetaj, ku kërkon një material përsa i përket studimit të fizibilitetit, analizën financiare të këtij studimi, ku ai i bën të qartë mungesën e plotë të dokumentacionit dhe draft-kontratën. Pra, z. Ahmetaj kërkon kush do të jetë financuesi i këtij projekti

Pavarësisht nga refuzimi i Ministrisë së Financave, Ministria e Mjedisit i drejtohet disa ministrive të tjera njëherazi për përqindjen e dhënë, sepse i duhet vendimi i qeverisë, ku i drejtohet Ermonela Felajt, Milva Konomit, ministrit të Drejtësisë Ylli Manjanit dhe Damian Gjiknurit.