Qendër kombëtare e të dhënave pranë Shkupit: Qeveria kërkon investitorë, ndërtimi mund të nisë në vitin 2027!

Maqedonia e Veriut planifikon ndërtimin e një Qendre Kombëtare të të Dhënave në afërsi të Shkupit, ndërsa punimet mund të fillojnë gjatë vitit 2027, nëse procedurat përgatitore përfundojnë sipas planit.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, njoftoi se lokacioni tashmë është përzgjedhur dhe po punohet për dokumentacionin urbanistik në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit.

Financimi parashikohet të sigurohet 30 për qind përmes granteve, ndërsa pjesa tjetër nga kredi me kushte të favorshme të institucioneve financiare ndërkombëtare.

Studimi i fizibilitetit ka përfunduar, ndërsa dokumentacioni i nevojshëm pritet të jetë gati deri në pranverë. Ministria po zhvillon bisedime edhe me kompani private të interesuara për investime në infrastrukturën digjitale.

Andonovski sqaroi gjithashtu se ndërprerja e fundit e shërbimeve elektronike të Fondit Pensional ishte shkaktuar nga probleme me aplikacionin në internet dhe jo nga cenimi i sistemeve të brendshme.