Unaza e humbur para 47 vjetëve në ShBA gjendet në një pyll të Finlandës

Një gruaje amerikane i kishte humbur unaza në kohën kur ishte nxënëse në shkollë të mesme në vitin 1973. Ajo vështirë se do të besonte që unaza do të gjendej 47 vjet më vonë dhe atë përtej Oqeanit Atlantik, në një mal të Finlandës.

Gruas së quajtur Debra McKenna, tashmë 63-vjeçare, i kishte humbur unaza në Portland, kur ishte nxënëse në shkollën e mesme “Morse”. Ajo thotë se e kishte harruar unazën deri në momentin që dikush e gjeti objektin e vogël 20 centimetra në thellësi të tokës përmes pajisjes për gjetjen e metalit.

Unaza në të vërtetë i përkiste bashkëshortit të ndjerë të Debra-s, me të cilin ishte njoftuar gjatë shkollës së mesme. Çifti kishin pasur 40 vjet martesë deri në vdekjen e burrit në vitin 2017. Bashkëshorti ia kishte dhënë këtë unazë para se të shkonte në fakultet, ndërsa ajo e kishte harruar aksidentalisht në një qendër tregtare.

Gruaja tha se shpërtheu në lotë, kur unaza i erdhi përmes postës javën e kaluar në shtëpinë e saj, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Personi që e gjeti unazën arriti ta gjente edhe adresën e pronares përmes mbishkrimit “Shkolla e mesme Morse” dhe inicialeve S.M. që ishin shkruar në unazë.