Ukrainasit: Ne thyem mitin se ushtria ruse është e pamposhtur / Në Kiev korbat janë bërë kaq të zhurmshëm

Ukraina po ndihet e vetmuar në luftën me Rusinë, por rezultatet e saj janë mbresëlënëse. Për 18 ditë luftë, ka dështuar plani i Rusisë që ta pushtojë të gjithë Ukrainën në 2-3 ditët e para të sulmit të rrufeshëm, nga ushtria e dytë më e fuqishme në botë.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dimitri Kuleba, sikur e ka ndryshuar pak strategjinë diplomatike, derisa presidenti Zelenski çdo ditë ka bërë thirrje për ndihmë të drejtpërdrejtë ushtarake, duke përfshirë edhe kërkesën për mbylljen e hapësirë ajrore mbi Ukrainë, nga NATO-ja. Kuleba kërkon nga perëndimi thjesht, që Ukrainës t’i jepen armë, dhe kështu lufta e tretë botërore, do të shmanget sipas tij. Kjo thirrje i bëhet diplomacisë perëndimore, e cila për shkak të kërcënimeve që në fillim të Rusisë se do të përdorë armët bërthamore, e ka marrë shumë me kujdes, mënyrën e ndihmimit në armatim të Ukrainës. Strategjia ka qenë e qartë, që të mos kryejë asnjë akt ushtarak që mund ta përfshijë drejtpërdrejt në luftë me Rusinë.

Ndihmoni Ukrainën ta detyrojë Putinin të dështojë

Por, mënyra e vetme sipas Kulebës për ta shmangur një luftë më të madhe, apo që Perëndimi të tërhiqet në luftë, është që Ukraina të ndihmohet me të gjitha armët e nevojshme, dhe që sanksionet të rriten ndaj Rusisë.

“Për ato shtete që kanë frikë se mos ‘tërhiqen zvarrë në Luftën e Tretë Botërore’, Ukraina lufton me sukses. Ne kemi nevojë që ju të na ndihmoni të luftojmë. Na siguroni të gjitha armët e nevojshme. Aplikoni më shumë sanksione ndaj Rusisë dhe izoloni atë plotësisht. Ndihmoni Ukrainën ta detyrojë Putinin të dështojë dhe ju do të shmangni një luftë më të madhe”.

Një shpërthim ka ndodhur në orët e para të mëngjesit sot në Kiev, duke goditur një pallat banimi me civil. Raportimet thonë se janë dy civil të vdekur dhe tre të plagosur. Natyrisht ky nuk është sulmi i vetëm, pasi përplasjet luftarake të ukrainasve me ushtrinë ruse janë të pandërprera, por jashtë periferisë së qytetit apo edhe në komunat ngjitur me të.

Image

Pamje nga goditjet shkatërruese ndaj vendbanimeve civile nga Rusia

Ndaj sulmeve të tilla ndaj civilëve, ka reaguar edhe amerikani Mark Hertling, ekspert ushtarak, duke e vlerësuar si punë të ndyrë kur një tankist merrë një shënjestër një ndërtesë civile. Aq shumë kjo e ka nevrikosur ushtarakun, sa ai thotë se po të kishte mundësi, do të shkonte dhe ta arrestonte një kriminel të atillë.

“Unë krenohesha gjatë gjithë karrierës sime duke qenë një “tankist”, një oficer i blindave. Të shohësh një komandant tankesh rus të qëllojë qëllimisht ndaj një ndërtese civile është tërbuese. Kjo më bën të dëshiroj ta gjej atë kriminel dhe ta vendos personalisht pas hekurave. E njëjta gjë për të gjithë kriminelët e tjerë të luftës”, ka shkruar ai sot në tviter.

Sipas mediumit ukrainas “The Kiev Indipendent” Disa shpërthime të forta u dëgjuan në qendër të Kievit.

Po ashtu disa nga shpërthimet janë shkaktuar edhe nga e mbrojtjes ajrore të qytetit, të cilat i kanë rrëzuar disa nga raketat që synonin Kievin.

Nika Melkozerova, redaktore ekzekutive në “New Voice”, e përshkruan kështu Kievin, një qytet që dikur gumëzhinte nga jeta e mbi 4 milionë banorëve, në një qytet thuaja fantazmë, ku askush nuk del jashtë të lëvizë.

“Unë jam një nga 2 milionë njerëzit që kanë mbetur në Kiev, dikur një qytet plot gjallëri me më shumë se 4 milionë banorë. Tani është pothuajse bosh. Korbat janë bërë kaq të zhurmshëm. Njerëzit janë të heshtur, të trishtuar dhe të sjellshëm. Është dita e 18-të e luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Dhe nuk mund ta kuptoj se si bota e la këtë të ndodhë”, shkruan ajo në një cicërimë në tviter.

Image

Pamje e vendosjes së tankeve dhe shkatërrimet nga lufta

Shërbimi Informativ Ukrainas përballë luftës speciale me Rusinë

Sipas informacioneve dhe vlerësimeve të bëra nga Shërbimi Informativ Ukrainas (SBU) një ushtar okupatorit rus i kushton 53 dollarë në ditë, ndërsa Rusia në fillim të operacionit okupues i kishte rreth 170-200 mijë ushtarë të angazhuar. “Një ditë në jetën e pushtuesit rus kushton 53$, por jo të gjithë do të mbijetojnë”.

“Kështu luftohet “ushtria e dytë më e fuqishme e botës”.

Ndërsa, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës deklaron se ajo e ka thyer mitin e ushtrisë së dytë më të fuqishme në botë.

Nuk ka më një tregim për ushtrinë e pathyeshme ruse! Madje ukrainasit besojnë se e kanë nxjerrë mësimin, se si mund luftohet me sukses ushtria, që konsiderohet e dyta në botë.

Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka dhënë një deklaratë, sipas së cilës, ukrainasit e shkatërruan mitin e pathyeshmërisë së armatës ruse. Madje, jo vetëm që ishte planifikuar ushtria ruse ta merrte Ukrainën për dy deri në tri ditë, por ushtria ruse, kishte marrë furnizime vetëm për 3 ditë.

“Shkatërruam mitin për “padyshimtësinë” e Forcave të Armatosura Ruse. Ata kanë pritur të na pushtojnë në 48 orë. Stoqet e ushqimeve, karburanteve dhe municioneve u shënjestruan maksimalisht 3 ditë. Megjithëkëtë ne i kemi ndaluar dhe ua kemi prishur planet e uzurpimit. Armiku po vuan viktima të arsyeshme të personelit dhe pajisjeve”, ka deklaruar ai.

Këtë ndryshim, përkatësisht sukses të ushtrisë ukrainase e ka bërë përgatitja e vazhdueshme nga viti 2014, kur Rusia e pushtoi Krimenë, një gadishull shumë të pasur dhe të vlefshëm për Ukrainën.

“Kjo luftë dëshmon se ne kemi ecur shumë përpara në vitet e fundit. Sot Forcat e Armatosura të Federatës Ruse, për nga niveli i tyre profesional, janë diku rreth nivelit tonë në vitin 2014”, deklaroi ai.

Sipas tij, forcat ruse, ia kanë dalur ta rrëzojnë vetëm një dron të tyre gabimisht, gjë që tregon për nivelin e papërsosmërisë së teknologjisë së ushtrisë ruse.

“Një rast me Bayraktarin ukrainas të “rrëzuar” është një shembull ilustrues i “përsosmërisë së tyre ushtarake””, transmeton faqja e Ministrisë së Mbrojtjes ukrainase.

Ushtria ruse është lavdëruar fillimisht për rrëzimin e një droni ukrainas, por rezultoi të ishte rus.

“Sot, në orën 9:32 të mëngjesit, në rrethinën Vesele, që qarkut të Kharkivit, njësia e mbrojtjes kundërajrore (AAD) e Ushtrisë së 6-të të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse (RF AF), me një sistem raketor anti-ajror (AAMS) “TOR”, rrëzoi UAV rus në lartësi mbidetare 3200 m. UAV ishte afruar për zbulim në drejtimin e Kharkivit. Ndërkohë, njerëzit e shërbimit rus të njësisë AAD raportuan para autoriteteve të tyre për shkatërrimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës UAV “Bayraktar”. Hetimi i arsyeve të zhdukjes së RF AF UAV, ka vërtetuar se është goditur nga AAD AAMS rus. Megjithatë, autoritetet e Ushtrisë së 6-të vendosën ta fshehin këtë informacion. Kështu po zhvillon luftë “ushtria e dytë e botës”.

SBU ndaloi informatorët rusë në Kharkiv, Odesa dhe Severodonetsku

Shërbimi inteligjent ukrainas, po ashtu ka prezantuar disa raste të kapjes së disa bashkëpunëtorëve të Rusisë, që sipas tyre po e tradhtonin atdheun.

Gjatë 24 orëve të fundit (12 mars) u ndaluan disa informatorë të cilët po mblidhnin informacione të inteligjencës për okupatorët.

Në vijim një raport ngjarjesh se si ka vepruar Shërbimi Inteligjent i Ukrainës:

Në rajonin e Kharkivit:

“SBU ekspozoi një njeri që punonte për inteligjencën ushtarake të okupatorit. Pseudonimi “Nord” ishte zgjedhur për komplotuesin.

Në ditën e pushtimit të Ukrainës, lideri i ashtuquajtur i “Lëvizjes së Rezistencës Kharkiv” Vadim Sharap u ri-lidh me të. Ai ia dorëzoi detyrën: të mbledhë të dhëna për vendosjen dhe rrugën e lëvizjes së njësive të Forcave të Armatosura (ukrainase) dhe koordinatorëve të objekteve të infrastrukturës në Kharkiv për të kryer më pas goditje me raketa-bomba mbi to.

SBU pengoi transferimin e të dhënave dhe e kapi herët tradhtarin.

Përveç kësaj, në Kharkiv, u ndalua një bashkëshort që bashkëpunonte me shërbimet speciale armike.

Burri ndihmoi në korrigjimin e bombardimit duke transferuar në faqen ruse të internetit GPS-koordinatat e objekteve të infrastrukturës kritike të Kharkivit dhe transferimin e Forcave të Armatosura. Dhe gruaja ishte e angazhuar në propagandë: përhapte në rrjetet sociale thirrjet për të mbështetur ushtrinë e okupatorit dhe promovonte idetë e mjera “Z”.

Tani të dy do të japin llogari për veprimet e tyre.

Në Odesa:

SBU ndaloi një agjent, i cili ishte rekrutuar nga Shërbimi Special rus gjatë një vizite në Krimenë e pushtuar përkohësisht.

Detyra e tij kryesore ishte të mblidhte informacione rreth objekteve mbrojtëse që forcat e vetëmbrojtjes pajisën në rajon. Tradhtari personalisht shkoi në periferi të Odesas dhe Chernomorskit, rregulloi vendndodhjen e bllokadave rrugore, koordinatat e sakta të tyre, numrin e personave dhe pajisjeve ushtarake.

Në të njëjtën kohë, ai po mblidhte informacione për shtetasit rusë që iu bashkuan batalioneve vullnetare në Forcat e Armatosura të Ukrainës që vepronin në zonën e operacionit të Forcave të Bashkuara.

Në rajonin e Luhanskut:

SBU ndaloi informatorin – një banor lokal ndihmoi trupat armike për të bombarduar Severodonetskun.

Tradhtari mbajti lidhje me të ashtuquajturën “LNR”. Ai e bindi një grua që të mblidhte informacione për vendndodhjet e Forcave të Armatosura të Ukrainës, duke e kërcënuar se përndryshe trupat ruse do të shkatërronin të gjithë qytetin me bombardime.

Gruaja doli në rrugë, shikoi lëvizjen e pajisjeve ushtarake, dëgjoi bisedat e vendasve dhe pastaj iu dorëzua armikut.

Tani të gjithë këta tradhtarë dhe agjentë janë ndaluar dhe po japin dëshmi për SBU-në. Pra, në vend të “Z” ata po presin burgun ukrainas.

Ne mbrojmë tokën tonë! Së bashku do të fitojmë!”

Image

Një i ri i plagosur nga sulmet ruse