Turqia vret dhjetëra ushtarë sirianë

Turqia vrau dhjetëra trupa të Qeverisë siriane, pasi katër ushtarë të saj u vranë nga granatimet në veriperëndim të Sirisë, tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Sipas gjetjeve fillestare, 30 deri në 35 sirianë u vranë”, tha ai.

Erdogan i bëri thirrje Rusisë – aleates kryesore të Sirisë – që të mos përfshihet, derisa forcat turke të hakmerren kundër forcave siriane.

“Dua t’iu them në veçanti autoriteteve ruse se problemi ynë këtu nuk jeni ju, por regjimi sirian”, tha Erdogan.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë tha se së paku katër ushtarë turq janë vrarë dhe nëntë të tjerë janë plagosur nga “bombardimet intensive” të forcave qeveritare në provincën Idlib të Sirisë.

Forcat e Qeverisë siriane po përpiqen të rikthejnë nën kontroll Idlibin dhe disa pjesë të Alepos, që janë bastion i fundit i rebelëve anti-qeveritarë.

Forcat turke ka kohë që janë vendosur në disa zona të rebelëve për të monitoruar një armëpushim të mëparshëm.

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Sirisë janë përkeqësuar ndjeshëm që nga fillimi i luftës civile në Siri në vitin 2011.

Damasku e akuzon Turqinë se minon sigurinë e saj, duke lejuar mijëra luftëtarë të huaj të hynë në Siri.

Turqia, e cila strehon mbi 3.5 milionë refugjatë sirianë, ka frikë nga një fluks tjetër refugjatësh, si pasojë e dhunës së përtërirë në Idlib.